Tjetër fitore e Interit, sërish porta e paprekur dhe titulli kampion mund të vijë që nesër. Suksesi i 25-të sezonal në kampionat për ekipin e Antonio Contes, që shpallet zyrtarisht kampion Italie nëse Atalanta nuk ia del të mposhtë Sassuolon.
0-2 fitoi Interi në fushën e Crotones, ekip që renditet në vend të fundit dhe ka prerë biletën për në Serie B. Vendasit rezistuan mirë për 69 minuta, për t’u thyer nga një gol shumë i bukur i Christian Eriksen.
Fantazisti mori një top nga Lukaku dhe goditi menjëherë drejt portës kundërshtare. Topi në rrjetë dhe goli i dytë sezonal në Serie A për danezin. Shtatë minuta përpara fundit erdhi edhe goli i Romelu Lukakut, por u anulua nga VAR-i.
Interi nuk u ndal dhe në minutat shtesë vulosi fitoren falë golit të Achraf Hakimit. Statistika shumë të mira për anësorin maroken, i cili numëron shtatë gola dhe gjashtë asiste këtë sezon me skuadrën e Contes. /abcnews.al