VIDEO/ Interi i pandalshëm, Morata s’i mjafton Juves. United ngec në Premier

schedule16:57 - 25 Prill, 2021

schedule 16:57 - 25 Prill, 2021

Interi rikthehet te fitorja dhe afrohet me titullin kampion, ndërsa mbyllet pa fitues dueli Fiorentina-Juventus. Barazim edhe takimi i Premier League mes Leeds United dhe Manchester United.

Zikaltrit e Antonio Contes iu falën golit të Matteo Darmian për të thyer 1-0 në “San Siro” Hellas Veronën. Anësori i djathtë gjeti golin e fitores pas asistit të marrë nga Achraf Hakimi në minutën e 76-të.

Fitorja e 24-t sezonale dhe vendi i parë me 79 pikë për Interin, që praktikisht ka fituar titullin kampion. 1-1 përfundoi ndeshja e luajtur në “Artemio Franchi” mes Fiorentinës dhe Juventusit. Sfida u zhbllokua pas gjysmë ore lojë.

Arbitri kryesor akordoi penallti për Fiorentinën pasi kërkoi ndihmën e VAR-it. Ekzekutimin e mori përsipër Dusan Vlahovic, i cili realizoi me “panenka”. Ekipi nga Firence në avantazh dhe goli i 17-të sezonal në Serie A për sulmuesin e talentuar.

Bardhezinjtë reaguan dhe gjetën golin e barazimit sapo nisi pjesa e dytë. Alvaro Morata realizoi një gol shumë të bukur, por sfida nuk prodhoi më gola dhe të dy skuadrat ndanë nga një pikë në fund. Sfida e luajtur në drekë, Benevento-Udinese u mbyll 2-4.

Leeds United-Manchester United përfundoi pa gola, ndryshe nga sfida e fazës së parë në të cilën u shënuan plot 8 gola (United fitoi 6-2). Djemtë e Ole Gunnar Solskjaer renditen në vend të dytë të Premier League.

66 pikë numërojnë “Djajtë e Kuq”, shtatë pikë më shumë se Leicester City ndjekës, ndërsa skuadra e Marcelo Bielsas qëndron e qetë në mesin e renditjes (vendi i dhjetë). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!