VIDEO/ Milani në krye, Ibrahimovic nuk pyet për Napolin dhe tremb kuqezinjtë

schedule22:50 - 22 Nëntor, 2020

schedule 22:50 - 22 Nëntor, 2020

Milani siguroi fitoren e radhës dhe vazhdon të kryesojë Serie A. Kuqezinjtë fituan 1-3 në një fushë të vështirë si ajo e Napolit, duke marrë tre pikët përballë një rivali direkt për titullin. Heroi i “Djallit” është Zlatan Ibrahimovic me dy golat e realizuar, teksa ekipit të Gennaro Gattusos nuk i shërbeu rrjeta e Dries Mertens.

39-vjeçari zhbllokoi sfidën në minutën e 20-të nëpërmjet një goli shumë të bukur me kokë. Ibra i mori kohën Koulibaly pas një krosi të Theo Hernandez dhe topi në rrjetë. Bomberi suedez sërish protagonist në minutën e 54-t.

Golat dhe rastet e NAPOLI-MILAN

Asist i Ante Rebic dhe finalizim i Ibrahimovic, i cili kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë të Serie A me 9 gola. Dries Mertens rihapi takimin me golin e shënuar në minutën e 63-të, por Bakayoko u largua me të kuqe dy minuta më vonë.

Gjithçka u vështirësua për vendasit. Milani shfrytëzoi avantazhin numerik dhe realizoi golin e qetësisë në minutën e pestë shtesë. Autori Jens Hauge, me talentin norvegjez që gjeti golin e parë në Serie A.

E vetmja gjë negative e mbrëmjes së sotme është dëmtimi i Ibrahimovic. Lideri i Milanit pësoi një dëmtim muskulor dhe u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 79-të. /abcnews.al

Serie A, java e nëntë
Napoli-Milan 1-3
(Mertens 63′ / Ibrahimovic 20′, 54′, Hauge 90+5′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!