TIRANË- Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se dogji automjetin me vlerë rreth 100 000 euro, të një 44-vjeçari.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Memo Meto”. Sipas policisë dyshohet për motive të dobëta.
Gjithashtu janë sekuestruar veshjet që mbante 39-vjeçari, Erges Shegani kur kreu krimin.
“Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 03:30, të datës 09.12.2025, në rrugën “Memo Meto”, ishte djegur automjeti tip “Audi” në pronësi te shtetasit44 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Price”, brenda pak orësh, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme.

