Një dygolësh i Gonzalo Higuain evitoi humbjen e parë të Juventusit dhe i dhuroi një fitore shumë të rëndësishme bardhezinjve përballë një Atalante shumë të fortë. Dueli i zhvilluar në Bergamo nisi me ritëm dhe duele të forta. Vendasit fituan një penallti në minutën e 18-të, por avantazhi nuk erdhi. Afrikani Barrow plasi topin në traversë. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, teksa e dyta nisi me festë për Atalantën.
Barrow veproi bukur nga krahu i djathtë, krosoi në zonë dhe Robin Gosens goditi saktë me kokë. Tifozët në festë dhe Atalanta në avantazh. Miqtë nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat dhe nisën të reagojnë.
Gonzalo Higuain shënoi dy herë brenda 8 minutave dhe përmbysi rezultatin. Sulmuesi argjentinas përfitoi nga një rrëmujë në zonën e ekipit vendas në minutën e 74-t dhe barazoi sfidën. Tetë minuta përpara fundit erdhi dhe avantazhi i “Zonjës së Vjetër”.
Cuadrado dhuroi një asist në zonë dhe Pipita nuk gaboi. Juventusi nuk i ndali sulmet dhe shënoi sërish në shtesa. Higuain pasoi për Dybala dhe ky i fundit mposhti Gollinin, duke vulosur fitoren e 11-të të bardhezinjve. Juventus vazhdon të kryesojë pas javës së 13-të me 35 pikë, teksa ekipi i Berat Gjimshitit, i cili u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes, renditet në vend të gjashtë me 22 pikë. /abcnews.al
Atalanta – Juventus 1-3
(Gosens 56′ / Higuain 74′, 82′, Dybala 90+2′)