VIDEO/ Gol në minutën e fundit, Klopp “gjunjëzon” Mourinhon. “The Reds” në krye

schedule22:59 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 22:59 - 16 Dhjetor, 2020

Liverpool mundi të marrë një fitore të madhe me rezultatin 2-1 mbrëmjen e sotme në ndeshjen e javës së 13-të të Premier League. Ishte një betejë, që foli më shumë për skuadrën e Jurgen Klopp, me djemtë e Mourinhos treguan edhe një herë cinizmin e skuadrave të portugezit, por në fund nuk ia dolën ndaj cilësive të “The Reds”.

Golin e parë të ndeshjes se shënoi Mohamed Salah në minutën e 26. Vetëm shtatë minuta më pas i zakonshmi Son shënoi rrjetën e barazimit. Goli i koreano-jugorit u kontrollua edhe në VAR dhe gjyqtarët vendosën ta konsiderojnë të rregullt.

Në pjesën e dytë Liverpool shtyu më shumë dhe provoi të rrezikojë, ndërsa londinezët u përgjigjen me kundërsulme, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Kane dhe Son, por pa arritur të tundnin rrjetën. Goli i fitores u shënua në minutën e fundit të shtesës.

Ishte Roberto Firmino, që fitoi duelin me të gjithë në një goditje këndi dhe shënoi bukur me kokë, duke i dhënë një triumf të madh skuadrës së tij. Me këtë triumf Liverpool merr kreun e renditjes, me 28 pikë, tre më shumë se Tottenham.

Në dy ndeshjet e tjera “mbretëroi” paqja. West Ham barazoi 1-1 me Crystal Palace, me këta të fundit që luajtën 20 minutat e fundit me një lojtar më pak. Fulham dhe Brighton e mbyllën ndeshjen në barazim pa gola. /abcnews.al

Premier League, Java 13
Liverpool-Tottenham 2-1
Shënues:
Salah 26’, Firmino 90’/ Son 33’
Fulham Brighton 0-0
West Ham-Crystal Palace 1-1
Shënues:
Benteke 34’/ Haller 55’

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!