Një gol i Berat Gjimshitit në minutat shtesë i dhuroi një fitore të rëndësishme Atalantës përballë Veronës. Mbrojtësi shqiptar shfrytëzoi një pasim të Toloi dhe mposhti portierin mik me një gjuajtje të fortë nga afër.
Verona ishte dy herë në avantazh, por ekipi bergamask përmbysi gjithçka dhe fitoi 3-2. Di Carmine zhbllokoi ndeshjen në mesin e pjesës së parë. Miqtë u treguan dinakë, kryen shpejt një rivënie anësore dhe sulmuesi italian mposhti Gollinin me një goditje diagonale.
Atalanta reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 44-t me anë të Malinkovskyt. Gjuajtje fantastike me të majtën e ukrainasit dhe gol shumë i bukur. Miqtë kaluan sërish në avantazh me anë të Di Carmine në minutën e 57-të, por Muriel riktheu shumë shpejt baraspeshën.
Dawidowicz la Veronën me dhjetë lojtarë pesë minuta përpara fundit dhe Atalanta u hodh në sulm në kërkim të golit të fitores. Gjimshiti u kthye në heroin e ekipit dhe në stadium shpërtheu festa në minutën e tretë shtesë.
Kjo fitore e dërgon Atalantën në vend të gjashtë me 28 pikë. Vendi i katërt është një pikë lart, teksa Verona mbetet e nënta me 18 pikë. Goli i parë për mbrojtësin e Shqipërisë. Në krahun tjetër, Rrahmani u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa Kumbulla e ndoqi sfidën nga pankina. /abcnews.al
Atalanta – Verona 3-2
(Malinkovsky 44′, Muriel (pen) 64′, Gjimshiti 90+3’/ Di Carmine 23′, 57′)
Berat Djimsiti Goal! ??
Atalanta 3-2 Hellas Verona pic.twitter.com/KEhddpluzW
— Veronik Istrefaj (@veroniku7) December 7, 2019