Gjithçka ka shkuar në mënyrë fantastike për “gjigandët” evropianë në përballjet e kupave, me “djajtë e kuq” të Manchester United dhe “bavarezët” e Bayern Munich, që kanë arritur të mundin lehtësisht kundërshtarët e tyre në përballjet e kupave.
“Djajtë” e Ten Hag kanë arritur të mundin skuadrën e Crystal Palace, teksa në “Old Trafford” kanë mundur të fitojnë me rezultatin e thellë, 3 me 0. Sipari i golave u çel nga talenti argjentinas, Alejandro Garnacho në minutën e 21’-të të sfidës dhe vetëm 6 minuta më vonë rezultati dyfishohet nga braziliani Casemiro. Për të “vulosur” rezultatin 3 me 0 mendoi “bomberi” francez, Anthony Martial, i cili çoi topin në rrjetë me një goditje fantastike në minutën e 55’-të të sfidës.
Në krahun tjetër, “bavarezët” e Thomas Tuchel kanë mundur skuadrën e Munster, me rezultatin e thellë, 0 me 4. Fitorja u arrit që në fraksionin e parë të lojës, me Choupo-Moting, Laimer e Kratzig, që arritën të shënonin në minutat 9’, 40’ e 45+5’ të sfidës.
Ndërkaq, për të vendosur rezultatin 0 me 4 mendoi Mathys Tel, i cili çoi topin në rrjetë në minutën e 86’ të sfidës. /i.m /abcnews.al