VIDEO/ Gjenden drogë, armë e municion luftarak, arrestohen dy vëllezërit në Mirditë

schedule13:26 - 25 Janar, 2025

schedule 13:26 - 25 Janar, 2025

Finalizohet operacioni policor i koduar “Double Strike”. Gjatë operacionit janë sekuestruar drogë, armë  zjarri e gjahu, municion luftarak, radio si të policisë e sende të tjera të kundërligjshme.

Në pranga kanë rënë dy vëllezër të moshës 40 dhe 45-vjeç banues në Mirditë

“Në kuadër të  kontrolleve dhe patrullimeve të pandërprera në të gjithë territorin e rrethit Mirditë  me fokus parandalimin, evidentimin  e armëmbajtjes pa leje dhe të lëndëve narkotike,  si dhe bazuar në inteligjencën policore se dy vëllezër në fshatin Kullaxhi, Mirditë ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit si dhe mbanin armë zjarri në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë  organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Double Strike”. Gjatë operacionit, në fshatin Kullaxhi, Mirditë, me mbështetjen dhe të Forcës  Operacionale të DVP Lezhë  dhe  Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë,  u ushtrua kontroll në magazinën dhe  banesën në pronësi të vëllezërve   I. D dhe P. D.  Nga kontrolli në magazinë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale  tre thasë me kanabis në formë boçeje  gjithsej 24.5 kilogramë

Ndërsa nga kontrolli në banesë dhe territorin  banesës u gjetën dy armë zjarri ( kallashnikov e pushkë), 4 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 1 shkop gome, 1 shkop bejzbolli, 1297 fishekë luftarak dhe 17 fishekë çifteje. Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 2 vëllezërve  I. D., 40-vjeç dhe  ⁠P. D., 45-vjeç, banues në fshatin Kullaxhi, Mirditë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Armët e zjarrit do dërgohen për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore për të parë nëse janë përdorur më parë për kryerje të veprave penale kundër personit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  “Fshehja e të ardhurave”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”,  kryer në bashkëpunim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!