Real Zaragoza është një klub i njohur në Spanjë. Titullin s’e ka fituar kurrë, por Kupën e Mbretit plot 6 herë dhe njëherë Kupën e Kupave (1995), kompeticion ku merrnin pjesë fituesit e Kupave dhe që nuk zhvillohet më prej vitit 1999. Klubi 88-vjeçar garon në divizionin e dytë të futbollit iberik dhe po bën të pamundurën për t’u kthyer në elitë.
Ky sezon ka qenë pozitiv dhe Zaragoza renditet në vend të dytë, pozicion që të dërgon në La Liga. Mbrëmjen e kaluar luajti në shtëpi përballë Alcorcon dhe kishte mundësinë të dilte në krye me një fitore. Diçka e tillë nuk ndodhi, miqtë fituan 1-3 dhe Zaragozza e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak.
Ishte minuta e 78-të kur portieri Alvarez harroi se nuk duhet të prekte topin me dorë. Një mbrojtës e ktheu topin pas dhe argjentinasi, i cili u gjend në kundër kohë, u rrëmbye nga instinktet e portierit, duke prekur topin me dorë jashtë zonës së tij.
Karton i kuq dhe mungesë në ndeshjen e radhës, teksa atij dhe shokëve të skuadrës nuk u lejohen më gafa të tilla. Gjithmonë nëse duan të shmangin duelet play-off dhe të rikthehen sa më shpejt në La Liga. /abcnews.al