VIDEO | FSHB dënon dhunën: E papranueshme, mbështesim Policinë!  

schedule12:58 - 24 Nëntor, 2019

schedule 12:58 - 24 Nëntor, 2019

Dhuna në ndeshjen Teuta-Tirana në basketboll është dënuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Ditën e sotme kanë dalë në një qëndrim dhe e konsiderojnë atë që ka ndodhur një ngjarje të shëmtuar, si dhe i urojnë arbitrit Muho shërim të shpejtë. Basketbollisti i Tiranës, Bruno Daliu, sulmoi dje me grushte një nga gjyqtarët e sfidës, Jurgen Muhon, një ngjarje që mund të klasifikohet si një skandal

REAGIMI I FSHB – “Federata Shqiptare e Basketbollit dënon ashpër ngjarjen e shëmtuar të ndodhur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, në takimin midis Teutës dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj.

Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e pa përligjur, e pa papranueshme dhe thellësisht e dënueshme.

Skena të tilla, që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk janë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti.

Federata Shqiptare e Basketbollit i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Federata Shqiptare e Basketbollit njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje”, reagon FSHB. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!