Mbyllet në barazim 1-1 sfida Torino-Fiorentina. Të dy ekipet e njohura italiane po kalojnë një moment aspak të mirë dhe e tillë është edhe renditja në Serie A.
Pjesa e parë nuk dhuroi emocione dhe asnjë gol, ndërsa fraksioni i dytë i takimit pati gjithçka. Dusan Vlahovic kaloi miqtë në avantazh (49′), por VAR-i anuloi golin.
Ndërhyrja e teknologjisë u nevojit sërish pas një ore lojë, moment që solli ndëshkimin me të kuq të Gaetano Castrovillit (61′). Fiorentina me dhjetë lojtarë, por gjashtë minuta më vonë gjeti golin.
Franck Ribery dhe Jack Bonaventura dhuruan spektakël me kombinimet mes tyre dhe ylli francez tundi rrjetën pasi dribloi edhe portierin vendas.
Gjithçka u bë më e vështirë për Fiorentinën në minutën e 72-të. Nikola Milenkovic goditi Andrea Belottin dhe karton i kuq për mbrojtësin e ekipit nga Firence.
Torino me dy lojtarë më shumë dhe më në fund ia doli të gjente golin dy minuta përpara fundit të takimit. Belotti devijoi në portë një top të ardhur nga e djathta dhe barazim 1-1. /abcnews.al