Manchester United, Arsenal dhe Everton kalojnë në raundin tjetër të FA Cup. “Djajtë e kuq” ishin të fundit që e bënë diçka të tillë, pasi mposhtën skuadrën e Watford me rezultatin minimal 1-0. Scott McTominay realizoi që në minutën e pestë, pas një krosi të saktë dhe një goditjeje me kokë që u ndal në rrjetë.
Më parë Everton kishte kaluar pas minutave shtesë, pasi mposhti 2-1 ekipin e Rotherham. Tosun shënoi që në fillim për ekipin e Carlo Ancelotti, por Olosunde barazoi në pjesën e dytë dhe pas 90 minutave rezultati ishte 1-1.
Abdoulaye Doucoure në fillim të shtesës realizoi për skuadrën e Everton, që deri në fund e ruajti epërsinë dhe u kualifikua. Edhe Arsenali kaloi pas 30 minutave shtesë kundër Newcastle. Koha e rregullt u mbyll pa gola.
Emile Smith Rowe ishte ai që zhbllokoi ndeshjen për “Topçinjtë”, kurse tre minuta nga fundi Aubameyang realizoi edhe golin që i çoi shifrat në 2-0 dhe mbylli llogaritë e kualifikimit në Kupë. /abcnews.al