Audax Italiano i kishte fituar tre ndeshjet e para në Primera Division të Kilit, por sot në mëngjes u mposht në shtëpi nga Palestino. Miqtë shënuan falë një goli të shënuar në minutën e 84-t, teksa një episod i çuditshëm ndodhi pas golit të miqve.
Vendasit e Audax ia dolën të barazonin falë Rodrigo Holgado. 24-vjeçari argjentinas përdori një skemë që e kemi parë edhe herë të tjera në futboll. Ai u fsheh, erdhi pas shpine, i rrëmbeu topin portierit mik dhe shënoi me portën bosh.
Arbitri kryesor kërkoi ndihmën e VAR-it dhe vendosi ta anulonte golin. Vendim disi i çuditshëm pasi portieri i Palestino e kishte lëshuar topin në tokë në momentin që Holgado i erdhi në mënyrë të befasishme nga pas. /abcnews.al