Sezoni i ri i basketbollit amerikan nisi me dy përballje të mëdha. Clippers mundën kampionët e Lakers në derbin në Los Anxhelos, ndërsa Brooklyn Nets u treguan të shkëlqyer nën udhëheqjen e yllit Kevin Durant
Nuk ishte mbrëmja e atyre që fitojnë titujt. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan, Los Angeles Lakers, u mundën në startin e sezonit në derbin ndaj Clippers. LeBron James dhe Anthony Davis u dorëzuan më së pari përballë Paule George, që udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores 116-109.
Ai realizoi 33 pikë, nga të cilat 26 në pjesën e dytë, ndërsa ylli kryesor ekipit, Kawhi Leonard shtoi 26 pikë. Pas zhgënjimit të vjetshëm, kur Clippers ishin pretendentë për kurorën, duket se këtë herë ata nuk duan të dështojnë përsëri.
LeBron James shënoi vetëm 22 pikë për kampionët dhe Davis 18, ndonëse kjo ishte thjesht ndeshja e parë e një sezoni të gjatë në NBA, që përfshin edhe fazën “play off”. Një paraqitje e madhe, ndërkaq, u bë nga ai ekip që cilësohet si “favoriti i fshehtë” i vitit.
Brooklyn Nets, ekip i metropolit Nju Jork, synon të sfidojë superfuqitë tradicionale dhe të bëhet skuadra numër 1 e qytetit kryesor të botës, për të lënë pas New York Knicks. Shpresat janë mbështetur te dyshja Kevin Durant-Kyrie Irving dhe dy yjet u përgjigjën siç duhet.
Së bashku shënuan 48 pikë në fitoren e thellë, 125-99 ndaj ish-kampiones së madhe, Golden State Warriors. Durant u kthye në fushë pas një viti e gjysmë mungese për shkak dëmtimi, po aq i mirë sa dikur. Ish-ylli i Golden Stejtit, i cili fitoi dy tituj me kalifornianët, shënoi 22 pikë në 25 minuta në parket, ndërsa Irving ishte shënuesi më i mirë i ekipit me 26 pikë.
Ishte hera e parë që Durant dhe Irving luanin së bashku, që kur Brooklyn Nets bashkoi në verën e vitit 2019 dhe skuadra e Lindjes tregoi se mund të quhet pretendente. Golden State ndërkaq ishte hija e fuqisë së dikurshme, dhe Stephen Curry ishte shumë pak për të përballuar rivalët. /abcnews.al