VIDEO/ Dobra shkëlqen në Angli, realizon në EFL Cup me Ipswich

schedule10:39 - 8 Tetor, 2020

schedule 10:39 - 8 Tetor, 2020

Për momentin është ende larg majave. Gjithsesi, Armando Dobra i ka ëndrrat e mëdha dhe goli i shënuar në EFL Cup për Ipswich Town tregon se talenti nuk i mungon aspak. Shqiptari 19-vjeçar realizoi për kundër Gillingham, në fitoren 2-0, duke qenë autor i golit të parë në minutat e para të pjesës së dytë.

Futbollisti, i cili luan në krahun e djathtë, ka lindur në Londër dhe është formuar në ekipet zinxhir të futbollit anglez, duke kaluar në të gjitha nivelet. Pasi u bë pjesë e Ipswich U18 dhe pastaj U23, ai kaloi në skuadrën e parë, duke fituar dalëngadalë vendin në formacion.

Lojtari ofensiv ka treguar se di jo vetëm që të shënojë, por sidomos të shërbejë asiste për shokët e ekipit. Dobra është i pakënaqur që luan në kategorinë e tretë në Angli dhe do të dëshironte një nivel më të lartë, por në një futboll si ai anglez, do t’i duhet shumë punë.

Ai është pjesë e Shqipërisë U21 për të cilën ka luajtur dy ndeshje, por ende nuk ka shënuar gol. Lojtari 19-vjeçar nuk u mor këtë herë nga trajneri Alban Bushi për shkak të problemeve me koronavirusin dhe kufizimeve në Britaninë e Madhe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!