Florian Marku është gati për duelin kundër Rylan Charlton, që zhvillohet nesër në Londër. Boksieri shqiptar, pas shtatë fitoresh u ndal në barazim në muajin dhjetor dhe tani kërkon që të rikthehet te triumfi.
Ditën e sotme boksieri shqiptar ka bërë edhe peshimin zyrtar dhe e ka paralajmëruar rivalin e tij. Pas peshimit, në foton me Charlton, Marku i afrohet britanikut dhe i thotë diçka, me shumë gjasa paralajmërim për atë që e pret nesër në ring.
https://streamable.com/lzf213
DEKLARATA – Dje Florian ka dhënë një intervistë për Sky Sport, ku tregon vetëbesimin e tij të lartë dhe ka bindjen se mund ta fitojë këtë ndeshje, pa shkuar deri në raundin e fundit të saj. “Mezi po e prisja këtë ditë, që nga padrejtësia e ndeshjes sime të fundit.
Jam i lumtur që Charlton është i pamposhtur, pasi kjo është ndeshja që unë dua. Jam 100% i sigurt se mund të fitoj me KO. I thashë se është shumë i ngadaltë për mua dhe ka për ta parë këtë. Ai është si bodybuilder, por nuk është këtu për të ngritur pesha. Jemi këtu për të grushtuar.
Nuk është në nivelin tim, le të shohim nëse i bën ato që thotë. Ai në raundin e parë do mundohet të tregojë gjithçka, por pas raundit të parë do të ndryshojë mendje, pasi do e shohë se kë ka përpara. Unë mund ta humb ndeshjen vetëm në momentin që bëhem i pavetëdijshëm, për sa kohë që shoh apo dëgjoj, jam i pathyeshëm.
Në ndeshjen e fundit nuk prisja të shkonte tetë raunde, por tani jam gati edhe nëse zgjat më shumë. Charlton do të jetë i kujdesshëm, ai nuk ka mundësinë të më ndjekë mua. Performanca ime e fundit ishte më e keqja, por unë fitova pastër. Tani është koha të tregoj forcën time”, u shpreh Marku. /abcnews.al