Dje Shkumbini, një nga skuadrat më të mira të Kategorisë së Dytë u ndal në një barazim pa gola ndaj Luzi 2008, teksa gjatë ndeshjes ka pasur tensione të shumta mes skuadrës mike dhe tifozëve e zyrtarëve të Shkumbinit.
Të paktën kështu pretendon Luzi 2008, që ka publikuar edhe një video në një moment tensioni kur lojtarët po shkonin në dhomat e zhveshjes dhe u desh shoqërimi nga policia për të shmangur goditjet me sende të forta. Në lidhje me këtë çështje pas ndeshjes është ankuar klubi i Luzit.
Nga video, por edhe nga fotot e publikuara në rrjetet sociale duket qartë se Shkumbini ka lejuar një numër të madh tifozësh të hyjnë në stadium, duke thyer hapur rregullat e Covid-19 të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.
POSTIMI – “Momente në Peqin kur ekipi jonë pas ndeshjes ka frikë të hyjë në dhomat e zhveshjes për shkak të sendeve të forta që hidhnin tifozët në fushë. Jemi në vitin 2020 dhe vazhdon dhuna nëpër stadiume si kjo e Peqinit”, shkruhet në postimin e klubit të Luzi 2008. /abcnews.al