Derbi i Torinos është fituar nga Juventusi. Ka mjaftuar një gol i Mathijs De Ligt që “Zonja e Vjetër” të triumfojë sërish në derbi. Ky gol, ishte i pari me fanellën e Juves për mbrojtësin holandez. Ndeshja nisi shumë pragmatike, me të dyja skuadrat që luftuan fort në mesfushë dhe që nuk i lejuan shumë hapësira njëra-tjetrës.
Megjithatë, Juventusi filloi të marrë në dorë frenat e lojës dhe të krijojë aksione të rrezikshme. Ronaldo e Ramsey patën rastet e tyre, por goli do të vinte vetëm nga një goditje këndi. Në zhvillimet e saj, topi përfundon në shtyllën e dytë, aty ku ndodhet i lirë Bonuçi. Italiani ka një kënd të pamundur për të goditur vetë dhe e kthen topin në qendër, aty ku është i lirë De Ligt.
Me një goditje fluturimthi, holandezi shënon një gol shumë të bukur, duke i fituar një tjetër derbi Juventusit. Me këtë triumf, “Zonja” vazhdon të ruajë vendin e parë, në kuotën e 29 pikëve pas 11 javëve. Interi në vend të dytë, ka vetëm një pikë më pak se të besuarit e Sarrit./abcnews.al
Serie A, java 11
Torino – Juventus 0-1
De Ligt 70′