VIDEO/ Dashin e kopesë për fituesin, vijon tradita e mundjes në Gollobordë

schedule11:55 - 20 Maj, 2022

schedule 11:55 - 20 Maj, 2022

Është zhvilluar kupa tradicionale e mundjes së lirë në Gollobordë. Ky aktivitet i përvitshëm mbledh dhe bën bashkë të gjithë Gollobordasit, edhe ato që janë larguar në Tiranë, Durrës, Elbasan, por edhe ato që janë në emigracion. Kjo traditë shekullore, e trashëguar nga të parët, ruhet dhe vijon edhe sot. Kjo lojë burrërore zhvillohet kudo, në dasma, në festa familjare, por edhe në tapetin e mundjes profesioniste.

Për çdo vit organizohet kupa e mundjes së Gollobordës ku marrin pjesë mundësa nga të gjitha fshatrat e Gollobordës. Për çdo vit të rinjtë ndeshen me njëri tjetrin, për të nxjerrë kampionin e zonës. Të mbledhur në një livadh në fshatin Ostren i Madh, u ndeshën 25 çifte mundësash, ku u shpall fitues Arjan Dani 26 vjeç, i cili përveç kupës mori si premio edhe “dashin”.

Golloborda është zona që ka nxjerrë dhe ka mbajtur me mundësa jo vetëm ekipin e Korabit por edhe ekipet e tjera, përfshirë edhe ekipin kombëtar të mundjes.

Fiqiri Rama, ish-trajneri i Korabit është një nga veteranët e mundjes, që ka nxjerrë dhjetëra kampionë kombëtar.

Këtë vit në kupën e Gollobordës morën pjesë edhe disa mundës nga Kosova dhe Maqedonia e veriut.

Aktiviteti vijoi me një koncert të organizuar nga Bashkia Bulqizë në oborrin e shkollës së mesme Elez Koçi, Ostren. Kjo ditë është kthyer në një festë të përvitshme për zonën, pasi njerëzit mblidhen, takohen me njëri tjetrin, takohen me veteranët e mundjes Gollobordase, shijojnë gatimet tradicionale të zonës dhe bukuritë natyrore./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!