Juventusi rikthehet të fitojë jashtë fushe. Në ditën që Interi e rrëzoi nga froni në Serie A, bardhezinjtë e Andrea Pirlo fituan 1-2 me Udinesen, duke siguruar tre pikë tepër të rëndësishme për objektivin Champions League.
Goli i parë erdhi shumë shpejt. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e dhjetë me anë të Nahuel Molina. 23-vjeçari argjentinas dhuroi një diagonale potente, që nuk u prit dot nga Wojciech Szczesny.
Të gjithë prisnin reagimin e skuadrës mike, por kjo nuk ndodhi. Juventusi krijoi fare pak, teksa Udinese, një ndër ekipet italiane më të forta në aspektin fizik, po mbrohej mirë.
Gjithsesi, ekipi mik ia doli të përmbysë rezultatin falë Cristiano Ronaldos. Goli i barazimit erdhi në minutën e 83-të. Penallti për Juventusin, dhe CR7 dërgoi topin në rrjetë. 36-vjeçari luzitan nuk u ndal dhe realizoi golin e fitores gjashtë minuta më pas.
Sulmuesi fitoi duelin ajror me mbrojtjen vendase dhe goditja e tij me kokë përfundoi në rrjetë. Çlirim i madh për Andrea Pirlon, i cili vrapoi të festojë me djemtë e tij. Ronaldo kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë në Serie A (27 gola) dhe në javët e mbetura do të tentojë të përmirësoje rekordin e sezonit të kaluar (31 gola).
Sfida nuk prodhoi më gola dhe Juventusi festoi marrjen e tre pikëve, që e ngjisin përkohësisht në vend të tretë me 69 pikë, po aq sa numërojnë edhe Atalanta e Milani. Javën e ardhshme do të luhet në Torino”finalja” ndaj Milanit të Ibrahimovic. /abcnews.al