VIDEO | Celtic tjetër shuplakë Lazios, Xhaka dhe Zhegrova kualifikohen

schedule20:56 - 7 Nëntor, 2019

schedule 20:56 - 7 Nëntor, 2019

Lazio nuk ia doli të fitonte përballë Celtic në “Olimpico”. Ekipi italian kaloi i pari në avantazh me anë të Ciro Immobiles në minutën e shtatë, por u përmbys sërish nga ekipi skocez. E njëjta pamje si në ndeshjen e zhvilluar në Glasgou.

Forrest barazoi për miqtë në minutën e 38-të, teksa francezi Ntcham, i ardhur nga stoli, vulosi kualifikimin e Celtic. Lazio ka shumë pak shanse për t’u kualifikuar. Ekipi i Inzaghit duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë në humbjen e Cluj përballë Celtic në ndeshjen e fundit që zhvillojhet në Rumani.

Ndeshja tjetër e grupit E u vendos nga një gol në minutat e fundit. Cluj mposhti në shtëpi francezët e Rennes dhe tani kryeson me 9 pikë. Veterani Rondon shënoi me kokë në minutën e 87-të dhe i dhuroi një fitore me aromë kualifikimi ekipit evropian.

Celtic renditet i dyti me 8 pikë, ndërsa Lazio ndjek me katër pikë më pak. Ekipi i Simone Inzaghit duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojë në një frenim të Cluj ose Celtic.

Fitore e madhe e Baselit përballe Getafes. Ekipi zvicerian fitoi 2-1 në shtëpi, teksa Taulant Xhaka dhe Edon Zhegrova e nisën ndeshjen si titullarë. Arthur dhe Frei shënuan nga një gol për pjesë, ndërsa rrjeta e Matës nuk i shërbeu ekipit spanjoll.

Triumf jetik siguroi edhe Krasnodar në grupin C. Ekipi rus fitoi 3-1 në shtëpi përballë Trabzonsporti të Dionis Avdijajt (e nisi ndeshjen si titullar). Manuel Fernandes shënoi një eurogol me finte për vendasit, të cilët janë ngjitur në kuotën e 6 pikëve, po aq sa ka edhe Getafe. Në krye renditet Baseli i shqiptarëve me 10 pikë, teksa kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe dy ndeshje deri në fund. /abcnews.al

Lazio – Celtic 1-2
(Immobile 7′ / Forrest 38′, Ntcham 90+5′)

Cluj – Rennes 1-0
(Rondon 87′)

Basel – Getafe 2-1
(Arthur 8′, Frei 60′ / Mata (pen) 45′)

Krasnodar – Trabzonspor 3-1
(Fernandes 27′, 35′, Ignatjev 90+3′ / Nëakaeme 90+4′)