VIDEO/ “Baskët” e Bilbao nuk falin në “shtëpi”, Girona “bie” edhe në “San Mames”

schedule08:36 - 20 Shkurt, 2024

schedule 08:36 - 20 Shkurt, 2024

Ende kishte shpresë për titullin kampion, pavarësisht humbjes katastrofike ndaj “Galaktikëve”, mirëpo duket se “surpriza” e kampionatit spanjoll i ka mbyllur hesapet e këtij sezoni. Skuadra e Girona ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në kampionat, teksa kësaj radhe është mundur në transfertën e “San Mames”, nga Athletic Bilbao, me rezultatin e ngushtë 3 me 2.

Një dopietë nga 28-vjeçari, Alex Berenguer, në minutat 2’ e 56’, si dhe një gol i ganez, Inaki Williams, në minutën e 60’ nxorrën “të pavlefshëm” golat e Tsygankov e Eric Garcia, të shënuar në minutat 49’ e 75’, duke i dhënë “Baskëve” një fitore të madhe, në përballjen e vlefshme për javën e 25-të të elitës së futbollit “iberik”.

Falë këtij rezultati, “Baskët” e Athletic Bilbao ngjiten në kuotën e 49 pikëve, duke qëndruar tashmë vetëm 2 pikë larg, “Los Colchoneros” të Atletico Madrid ose e thënë ndryshe vetëm 2 pikë larg zonës “Champions”, ndërsa skuadra e Girona mbetet në vendin e 2-të të tabelës, me 56 pikë, 6 më pak se “Galaktikët” e Real Madrid. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!