Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 33-të në IPKO Superligën e Kosovës. Rezultat surprizues në Suharekë, aty ku Ballkani i Shkëmbi u befasua nga Arbëria. Ekipi mik fitoi 2-3, duke siguruar tre pikë të arta për objektivin mbijetesë.
Moment i keq për Ballkanin, që regjistron humbjen e dytë radhazi dhe sheh t’i sfumohet ëndrra titull. Prishtina e vendit të parë është pesë pikë larg dhe deri në fund kanë mbetur për t’u luajtur edhe tre ndeshje, mes të cilave takimet jashtë fushe me Dritën dhe Prishtinën.
Kreshnik Bahtiri kaloi Arbërinë në avantazh në minutën e shtatë, por vendasit barazuan në limitet e pjesës së parë. Arber Shala realizoi një eurogol dhe dy skuadrat shkuan në pushim me barazimin 1-1.
Teksa pritej që Ballkani të luante më mirë dhe të shënonte golin e fitores, Arbëria goditi sërish, madje dy herë. Bahtiri gjeti golin e dytë personal në minutën e 47-të, teksa 20 minuta më vonë erdhi edhe rrjeta e Agon Llugiqi, i cili vulosi suksesin e ekipit nga Lipjani.
Ballkani shënoi një tjetër gol në minutën e fundit, por ishte vonë. Përfundimisht 2-3 për Arbërinë, që reagon në mënyrën më të mirë të mundshme pas humbjes shtëpiake ndaj Gjilanit dhe siguron tre pikë jetike. Vendi i tretë për skuadrën nga Suhareka, që për momentin mbetet edhe pa Europa League.
Sfida tjetër mes Drenicës dhe Llapit, përfundoi me triumfin 4-2 të “Shqiponjave të Zeza”. Ndeshja nisi e zjarrtë dhe dy gola u shënuan brenda nëntë minutave të para. Qendërmbrojtësi francez i ekipit mik, Anthony Monin realizoi një autogol në minutën e katërt.
Djemtë e Batatinës reaguan dhe rikthyen baraspeshën pesë minuta më vonë falë golit të belgut Amir Hossari. Kaq për pjesën e parë, teksa fraksioni i dytë nisi me golin e Donald Rapos. 30-vjeçari korçar kaloi Drenicën në avantazh.
Dhjetë minutat e fundit ishin emocionuese, tre gola të tjerë u shënuan, por në fund festoi ekipi nfa Skënderaj pas suksesit 4-2. Tre pikët e sotme e kanë ngjitur Drenicën në vend të pestë, me dy pikë më shumë se Llapi i një pozicioni më poshtë. /abcnews.al