Pasditen e sotme një ngjarje e rëndë u raportua nga qyteti i Gramshit. Në liqenin e Hidrocentralit të Banjës, 4 shtetas, babai me dy djemtë, një prej tyre i mitur dhe kushëriri janë futur për t’u larë dhe nuk kanë dalë më.
Katër shtetasit janë identifikuar si: Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu. Gjithashtu është mbytur edhe nipi i 46-vjeçarit, Melsi Zogu 20-vjeç.
Menjëherë pasi janë njoftuar, policia, zjarrfikësja dhe polumbarët e RENEA-s kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kërkimet për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave.
Në buzë të liqenit janë gjetur dy motoçikleta, 3 telefona dhe rrobat e trupit që i përkisnin 4 shtetasve.
Deri më tani polumbarët nuk kanë arritur të gjejnë asnjë trup, ndërsa në bregun e liqenit janë mbledhur familjarët dhe njerëz të zonës.
Njoftimi i policisë:
Gramsh/informacion paraprak
Rreth orës 19:00, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 shtetas dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrëfikësit, ku ka rezultuar se:
Në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, dyshohet se shtetasit rreth 46 vjeç, 19 vjeç, 14 vjeç , (babai me dy djemtë) dhe kushëriri i tyre shtetasi , 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më.
Gjiihashtu menjëherë në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.
Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.r.t/abcnews.al