Atalanta dhe Valencia prodhuan një futboll shumë të bukur plot raste në duelin e parë të raundit të 1/8 në Champions League, por në fund festuan vendasit. Në një “San Siro” të mbushur me tifozë nga Bergamo, Atalanta shënoi katër herë dhe hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit.
Berat Djimsiti ishte programuar si titullar, por një bllokim muskulor në nxehje ndikoi që shqiptari t’i linte postin Caldarës. Holandezi Hateboer hapi serinë e golave pas çerek ore lojë. Anësori i djathtë shfrytëzoi një asist të kapitenit Gomez dhe dërgoi topin në rrjetë.
Tre minuta përpara fundit të pjesës së parë erdhi edhe dyfishimi. Josip Ilicic realizoi një gol të mrekullueshëm dhe në stadium nisi festa. Pjesa e dytë nisi nën ritmin e Atalantës, teksa ndeshja u bë spektakolare.
Zvicerani Freuler shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 57-të. Furia italiane nuk u ndal dhe Hateboer vulosi “pokerin” e Atalantës dhe gjeti golin e dytë personal. Rusi Cheryshv ngjalli pak shpresat e një Valencie të “plagosur” me golin e shënuar në mesin e pjesës së dytë.
Pavarësisht se spanjollët u hodhën në sulm për të gjetur një tjetër gol, skuadra e Gasperinit rezistoi dhe ia doli të siguronte një fitore të madhe në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së klubit. Sfida e kthimit zhvillohet në “Mestalla” ne 10 mars. /abcnews.al
Atalanta – Valencia 4-1
(Hateboer 16′, 62′, Ilicic 42′, Freuler 57′ / Cheryshev 66′)