VIDEO/ “Ata që gjykojnë në fushë duhet të jenë të drejtë”, reagon zyrtarisht klubi i Tiranës për situatën në sfidën ndaj Bylis

schedule18:03 - 26 Maj, 2023

schedule 18:03 - 26 Maj, 2023

Pas asaj ngjarjeje që ndodhi në fushë në sfidën Tirana-Bylis, ku tifozët e klubit bardheblu u futën në fushë dhe dhunuan gjyqtarët, sot Komisioni i Disiplinës mori disa masa ndëshkuese për lojtarë dhe zyrtarë të KF Tirana.

Më pas, klubi kryeqytetas ka reaguar zyrtarisht me një video-mesazh.

Njoftimi i klubit KF Tirana:

“Ndeshja Tirana-Bylis pati një përfundim të trishtueshëm për të gjithë komunitetin bardheblu.

Kjo ndeshje e cila u mbyll  nga një rast tepër flagrant siç ishte edhe ajo penallti e akorduar për miqtë në fundin e takimit, arriti të provokonte në limite tifozerinë e klubit tonë, një tifozeri e cila ka qenë shembull i qytetarisë në mbështetje të skuadrës së zemrës në të gjithë historinë e klubit tonë.

Kjo ngjarje nuk prek vetëm tifozët e Tiranës apo dashamirësit e saj, kjo është një shuplakë e rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin. Futbolli luhet për tifozët dhe KF Tirana ka tifozerinë e saj e cila jeton çdo ditë me skuadrën e futbollit.

Ngjarja e ndeshjes së fundit na kthen shumë vite pas, vite ku futbolli ynë kishte fusha sportive të amortizuara, arbitra të kontestuar për gjykimet e tyre dhe shumë hallka të tjera të cilat na privonin për ato hapa madhore drejt futbollit profesionist ku ne kemi aspiruar gjithnjë. Ne sot kemi stadiume moderne të rikonstrukturuara, të tjera priten të ndërtohen, ndër to dhe shtëpia bardheblu “Selman Sërmasi”. Sapo kemi pritur një finale Europiane, kemi sisteme VAR, po sjellim risi në futbollin shqiptar si edhe po transferojmë elementë të talentuar drejt klubeve më të afirmuara të Europës.

KF Tirana funksionon si një familje me komunitetin e saj dhe do vijojë në çdo moment të jetë përfaqësuesja më e denjë e klubit të tyre të zemrës. Distancohemi nga aktet e dhunës dhe nënvizojmë se, si dje dhe çdo herë tjetër kemi zbritur në fushë vetëm për të luajtur futboll. Ata që gjykojnë në fushë duhet të jenë të drejtë në vendimet e tyre dhe të denjë për uniformën që mbajnë veshur.

Të mos harrojmë kurrë që veprimet e tyre peshojnë në mijëra zemra që mbushin shkallët e stadiumit për çdo ngjyrë skuadre përfshirë dhe atë kuqezi. Dje këto zemra u thyen, u tradhtuan dhe fryma me të cilën bërtasin çdo vit u vodh. Pavarësisht padrejtësive dhe qëllimeve dashakeqe kundrejt punës së tyre në raste të përsëritura të vendimeve të arbitrave, drejtuesit, stafi dhe lojtarët e klubit kanë qenë të gatshëm të qetësojnë të gjitha situatat duke u sjellë konform rregullave.

Asnjëherë nuk gjykuam, por mbrojtëm denjësisht dhe me kulturë mundin e një sezoni të gjatë. I ftojmë të gjitha palët të reflektojnë!”/ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!