VIDEO | Antetokounmpo nuk mjafton për Bucks, triumfojnë Spurs

schedule11:21 - 7 Janar, 2020

schedule 11:21 - 7 Janar, 2020

Milwaukee Bucks pësoi një disfatë të papritur në basketbollin amerikan. Kapiteni Giannis Antetokounmpo luajti shumë mirë, por sërish nuk ia doli në fushën e San Antonio Spurs.

Mund të jesh në formë të shkëlqyer dhe sërish të humbasësh. I tillë është sporti kolektiv, pra edhe basketbolli. Këtë e provoi ylli më i mirë i momentit në NBA, Giannis Antetokounmpo.

Kapiteni i Milwaukee Bucks ishte pranë realizimit të “triple double”, veçse San Antonio Spurs mbrojti fushën e vet dhe i shkaktoi disfatën më të thellë të sezonit, me shifrat 104-126. Antetokounmpo shënoi 24 pikë, kapi 12 topa në tabelë dhe shërbeu 8 asiste në gati 34 minuta lojë.

Një paraqitje e mirë, bashkë me 3 vjedhjet e topave, por edhe me gabime në gjuajtje. Sidomos për tri pikë. Përballë pati një kundërshtar të frymëzuar. Trajneri veteran, me gjasë më i miri i NBA-së, Greg Popovic, përgatiti një tjetër kurth ku Milwakee Bucks ra plotësisht.

DeMar DeRozan ishte më i miri për vendasit me 25 pikë e 7 asiste, Patty Mills shtoi 21, ndërsa LaMarcus Aldridge e Rudy Gay patën nga 17 pikë secili. Trey Lyles kapi 12 topa në tabela, ndërsa fitorja e Spurs ishte e përbashkët, me plot 11 lojtarë që shënuan pikë.

Humbja nuk është se e dëmtoi edhe aq Milwaukee Bucks, pasi ishte vetëm e 6-të këtë edicion të basketbollit amerikan. Ekipi i Giannis Antetokounmpo  mbetet më i miri në NBA dhe kryesues i Konferencës Lindore, ndërsa ylli i saj kryesor, është favoriti numër 1 për të fituar sërish çmimin e Lojtarit të Vitit. /abcnews.al