Juventusi e ka nisur në mënyrën më të keqe kampionatin. Pas barazimit me Udinesen, këtë herë bardhezinjtë e Max Allegrit janë mposhtur nga Empoli i Ardian Ismajlit dhe Nedim Bajramit.
Të dy ishin titullarë në fitoren me rezultatin 1-0. Heroi ishte Mancuso, i cili gjeti rrugën e rrjetës në fillim të pjesës së parë. Empoli në 45 minuta u mundua të përballej si i barabartë me ekipin nga Torino.
Në fraksionin e dytë të lojës Juventusi u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit. Morata, Bernardeschi dhe Kulusevksi u hodhën në fushë për të shtuar forcën sulmuese të skuadrës.
Bardhezinjtë kishin rastet e tyre për shënim, por Empoli deri në fund e ruajti me fanatizëm golin e Mancuso dhe mori fitoren e parë sezonale.
NDESHJA TJETËR – Fiorentina ka triumfuar në shtëpi ndaj Torinos me rezultatin e ngushtë 2-1. Ekipi Vjollcë kaloi në epërsi me Gonzalez në fundin e pjesës së parë.
Në të dytën për Fiorentinën shënoi edhe i zakonshmi Dusan Vlahovic, kurse Torino u kundërpërgjigj shumë vonë me Verdin. Minutat shtesë nuk mjaftuan që “demat” t’i ndryshonin fatet e kësaj ndeshjeje. /abcnews.al