VIDEO/ “A marrin vesh nga boksi këta”, Marku barazon me Stewart dhe tërbohet

schedule19:58 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 19:58 - 12 Dhjetor, 2020

Florian Marku dhe Jamie Stewart ndahen në barazim, edhe pse boksieri shqiptar arriti të ishte më lart se kundërshtari dhe e detyroi anglezin të merrte veten në raundin e dytë, pas një “nokdauni”. 76-76 ishte rezultati në fund, me Markun që u tërbua nga vendimi i gjyqtarëve.

Pas ndeshjes ai u shfaq i habitur: “Si mund të jetë barazim, sidomos me raundin 10-8 kur e rrëzova poshtë. Rivali më goditi vetëm një herë. Kështu më shkatërrojnë karrierën. Për çfarë është boksi, për të goditur në doreza?

Normalisht që e dua një ndeshje sërish, por a e njohin boksin këta gjyqtarë? A marrin vesh nga boksi. Unë e ula në tokë atë. A po talleni me mua që e vendosni barazim. Ai nuk më dha asnjë goditje të pastër”.

Kjo ishte ndeshja e tetë e Markut në boksin profesionist dhe deri më tani regjistronte vetëm fitore. Pesë prej dueleve boksieri shqiptar i kishte fituar me “KO”. Ky është barazimi i parë në karrierë për të.

NDESHJA – Raundi i parë ishte deri dikurt i barabartë, por Marku u tregua dinak në disa momente, duke goditur rivalin me të majtën. Boksieri shqiptar vijoi me strategjinë e tij edhe në raundin tjetër, teksa mbrohej mirë dhe shtynte Stewart drejt litarëve.

Në një moment Marku e goditi fort në trup dhe arbitri nisi numërimin, por britaniku me duart në brinjë bëri me shenjë që mund të vazhdonte. Raund pas raundi u konfirmuar një duel shumë i luftuar, me të dy boksierët që mundoheshin të godisnin njëri-tjetrin.

Në raundin e pestë Stewart e vuri disi në siklet Markun, kurse më pas dueli vijoi të ishte deri diku i barabartë sërish. Shqiptari e çoi në kënd disa herë rivalin dhe në raundin e tetë me një goditje të fortë ia hoqi edhe protezën. Asnjë prej boksierëve nuk ra dhe gjyqtarët vendosën që gjithçka të mbyllej në barazim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!