VETTING-Strategjia e shkatërrimit të bregut

schedule20:26 - 25 Shtator, 2021

schedule 20:26 - 25 Shtator, 2021

Emisioni VETTING

Kur një turist i huaj nis të planifikojë një udhëtim për herë të parë në Shqipëri, hapi i parë kërkon informacione për vendet turistike që mund të vizitojë, natyrën, kulturën, infrastrukturën, por edhe për sigurinë. Nëse kërkon informacion për Shqipërinë, një turisti do t’i shfaqen padyshim riviera me plazhet e bukura të Jonit, do ti shfaqen plazhet e bukura të Adriatikut. Shfaqen gjithashtu bukuritë e radha natyrore në alpet e Shqipërisë,  ujëvarat, kanionet, Butrinti, Apolonia, Rozafa… kishat e vjetra të Voskopojës… e të tjera vende të bukura në një Shqipëri, që siç thoshte dikur kryeministri, zoti i ka dhënë gjithçka për të qenë një vend i begatë. Tundimi i një turisti për tu nisur drejt këtyre gjireve si parajsë, ndalet pikërisht në momentin kur në informacionet për Shqipërinë sheh të jenë renditur edhe ngjarje si ajo e këtij qershori në Velipojë. Padyshim që shumica e tyre, mund të qëllojë që të anulojnë menjëherë udhëtimin drejt vendit tonë. Sepse për shumicën e njerëzve, siguria është e para. Prej shumë vitesh, Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve me rrezik por ngjarje të tilla si ajo e Velipojës, japin një imazh të rëndë për vendin tonë.

…………………………

Më 27 qershor të këtij viti, sapo kishte nisur sezoni turistik, një konflikt me armë tronditi opinionin publik dhe tmerroi pushuesit e Velipojës. Në betejën për hapësirë çadrash në plazh, mbetën të vrarë katër persona. Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeçe mbetën të vrarë në atë konflikt. Dy familjet Ferracaku dhe Gocaj, kishin disa ditë në një  konflikt për lejen e stacioneve të plazhit apo siç njihet ndryshe lejen për çadrat.

Të dy familjet pretendonin disa parcela në plazhin e Velipojës, leje e cila jepet nga Ministria e Turizmit, gjatë një procesi që zhvillohet i gjithi online. Sezoni kishte disa javë që kishte filluar zyrtarisht por në plazhin e Velipojës dhe në të tjera ende nuk ishte caktuar se cili nga bizneset përfitonte parcelat për të vendosur çadra. Ngjarja e Velipojës është ekzaktësisht dështimi i institucioneve shtetërore në menaxhimin e vijës bregdetare. Nëse institucionet shtetërore të ngarkuara për të organizuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, do të kishin qenë prezent në kohën e duhur për të kryer detyrën e tyre, nuk do të kishte ndodhur ngjarja e Velipojës e as të tjera të ngjashme.

Por institucionet i shohim në terren vetëm për të numëruar viktimat. Kryeministri u shfaq në një konferencë për mediat pikërisht  për këtë ngjarje. Sipas ekspertëve por edhe bizneseve që aplikuan për leje të stacioneve të plazhit, konflikti Velipojës por edhe të tjera gjatë vijës bregdetare, erdhën për shkak se pati shumë vonesa në miratimin e  tyre nga ana e ministrisë së Turizmit. Ekspertët mendojnë se ka një mungesë koordinimi sa i përket kompetencave që duhet të kishte pushteti qendror dhe ai vendor.

Procedura për marrjen e një leje stacioni plazhi është mjaft e komplikuar dhe fillimisht behet një aplikim onlin, me pas përfshihet edhe pushtetit lokal. Ndërsa kontrolli për respektimin e rregullave të  e vendosura nga ministria e turizmit, kryhet nga një sërë institucionesh. Për të sqaruar rolin e Ministrisë së turizmit, Vetting ka kontaktuar ish-ministrin Blendi Klosi, drejtorinë e turizmit, agjencinë e menaxhimit të bregdetit por këto institucione kanë refuzuar të përgjigjen. Megjithatë, nuk është ky problem i vetëm i menaxhimit të vijës bregdetare apo turizmin në tërësi.

Vija bregdetare e Durrësit, ka qenë dikur një ndër plazhet më të bukura. I shtrirë në një gjatësi prej dhjetra  kilometrash.  Brezi i gjerë i rërës kufizohej me një masiv pishash të larta duke krijuar një pamje fantastike, një ndër perlat bregdetare të rajonit.

I pushtuar nga betoni me ndërtesa shumëkatëshe, të kap syri tek tuk ndonjë pishë. Pa asnjë plan studimi, asnjë strategji, u popullua me ndërtime pa leje që nisën të intensifikohen në vitet 2000 gjatë qeverisjes së parë të socialistëve. Dhjetra kilometra plazh u pushtuan nga betoni duke krijuar masakër mjedisore e shkatërrimin e bregdetit të Durrësit.

Betonizimi i bregdetit është një fenomen që e ka dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin e turizmin.  Pas Durrësit, ndërtimet pa leje shkatërruan në mënyrë të parikuperueshme edhe pjesë nga bregu i  Vlorës e më pas të Sarandës. Qeveritë e këtyre 30 viteve nuk u angazhuan për të ndalur fenomenin e ndërtimeve pa leje në bregdet, përkundrazi mandat pas mandati, kështjellat e betonit ngriheshin madhërishëm mbi rërë. Kemi parë aksione sporadike si ai i fillimit të këtij sezoni veror kur qeveria Rama u angazhua në prishjen e disa ndërtesave.  Kryeministri evidenton mungesën e policisë dhe institucioneve shtetërore në ndaljen e ndërtimeve pa leje duke theksuar se mure kasollesh në majat e Shqipërisë ndalohen nga policia e burgosen të zotët por policia mungon atje ku ngrihen hotele struktura betoni në vijën bregdetare.

Gjatë gjithë dimrit askush nuk kujtohet dhe në mes të sezonit turistik, lëshohen fadromat e IKMT-së për të prishur ndonjë ndërtesë modeste, boritë e policisë dhe fadromave përzihen me zhurmat e makinerive që vazhdojnë të hedhin pa pushim beton duke ngritur ditë pas dite katet e larta të ndërtesave që po ngrihen në vijën bregdetare të jugut. E gjitha kjo ndodh në mes të qershorit, korrikut e gushtit në pikun e sezonit turistik.

Është rruga që të çon në plazhin e Kakomesë, një ndër më të bukurat e bregut të jugut. Një sipërfaqe prej më shumë 100 hektarësh është e rrethuar me gardh. Nuk dihet se me autoritetin e cilit institucion  është ndërtuar kjo portë që na ndalon të hyjmë Brenda. Siç e shihni, një nga perlat e bregdetit shqiptarë, prej 17 vitesh mbahet peng dhe nuk mund të zhvillohet pasi institucionet shtetërore nuk japin zgjidhje, për shkak të paaftësisë edhe të korrupsionit. Brenda saj janë katër ndërtesa të cilat janë lënë në gjysëm. Banorët na tregojnë se nuk janë kundër zhvillimit të këtij plazhi por kërkojnë që njihen si pronarë dhe të marrin atë që iu takon. Ka shumë pak ngastra toke në të gjithë rivierën, të cilat janë qartësisht pronë e një individi. Shumica e pronave janë në konflikt.

Në vitin 2004 qeveria ne ikje e Fatos Nanos vendosi që gjiri i Kakomesë një nga perlat e jugut ti jepej kompanisë franceze Club Mediterran . Gjigandi francez do të ndërtonte aty një resort turistik elitar ku do investoheshin rreth 40 milion euro. Por dicka ishte llogaritur gabim pronësia mbi një pjesë të sipërfaqes ku ishte parashikuar të ndërtohej resorti. Banorët e fshatit Nivicë kanë në pronësi rreth 20 hektarë tokë të përfituara sipas  ligjit 7501, por që nuk mundur ta regjistrojnë në hipoteke, hapi i fundit për tu shpallur pronarë të ligjshëm. Fillimi i punimeve do të sillte përplasjen fizike mes banorëve dhe  qindra forcave policie te stacionuara në Kakome.

Policia arrestoi dhjetra banorë dhe pas katër ditë protestash arriti ta shpërndajë banorë me dhunë. Pavarësisht kësaj punimet aty nuk filluan, pasi problemet me pronësinë tremben kompaninë franceze. Me ardhjen në pushtet të demokratëve në vitin 2005 përfaqësues të kompanisë franceze,  erdhën sërish në Tiranë. Por qeveria e re, kishte të njëjtat zakone si ajo e vjetra problemet në pronësinë nuk u zgjidhën çka bëri që Club Med të tërhiqej përfundimisht nga projekti. Në vitin 2008 qeveria e Sali Berishës miraton një tjetër leje këtë herë për firmën shqiptare ‘riviera’ duke bërë që banorët e Nivicës të dalin serish në proteste duke ndalur punimet.  Banorët mblidhen në qendrën e fshatit dhe me një mal dokumente na tregojnë se toka është e tyre dhe po u grabitet. Sipas tyre oligarkët po i marrin tokën në emër të investime strategjike.

Kreu i kadastrës Artan Lame  na thotë se është e pamundur që biznesmenë apo oligarkë të grabisin prona, pasi nuk është në interesin e tyre . I sfidon banorët e fshatrave të jugut që ti japin një provë që kjo po ndodh në terren. Banorët kanë në dorë dokumente në të cilat besojnë  se gjenden vendime institucionesh dhe  gjykatash shqiptare  të cilat u kanë dhënë të drejtë pronësie.  Ata na sqarojnë se nga bashkia Himarë disa prej tyre i ka  pajisur me aktin e marrjes së tokws bujqwsore në pronësi.

Po persa kohë që toka nuk regjistrohet nga zyra e kadastrës ata nuk mund të konsiderohen pronarë të ligjshëm të tyre dhe nuk mund ta zhvillojnë pronën. Kreu i kadastrës na shpjegon arsyen pse se institucioni që ai drejton nuk mund  të ndërhyje në këtë rast. Banorët janë të vendosur të mos e lëshojnë pronën që besojnë se është e tyre. Thonë se nuk janë kundër investimeve të quajtura strategjike nga qeveritë, por thonë se nuk do të lejojnë asnjëherë që pronën e tyre ta përfitojnë padrejtësisht ata që i quajnë “oligarkë”.

Historia e mbivendosjes së pronave në bregun e Jugut është e ngjashme me këtë problematikë në të gjithë Shqipërinë. Ndarja e tokave me ligjin 7501 dhe çorba ndërinstitucionale ndër vite ka sjellë një situatë ku për të njëjtën tokë, ka shumë palë që mbajnë në dorë një dokument pronësie. Sepse gjthëçfarëlloj zyrtari I këtyre 30 viteve të tranzicionit e pati të drejtën të lëshojë dokumente përkundrejt ryshfetit.

Për shkak të influencave regjistrimin e pronave të bregut po e kryen Kadastra Qendrore dhe është një proces i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti. Jugu tashmë do të ketë një hartë të saktë dhe janë rreth 200 ankesa të regjistruara. Për herë të parë pjesë e regjistrimit janë edhe shtëpitë e para viteve 90 proces i cili konsiderohet mjaft i rëndësishëm.  Rrëmujës së pashpjegueshme të pronës private i shtohet edhe masakra që po ndodh me pronën publike në bregdet. Sipërfaqja e tokë si pronë publike po administrohet në mënyrë abuzive gjithashtu. Privatizimi ka përfshirë çdo cep të tokës publike, deri tek bazat ushtarake.

Baza e  Sarandës është tashmë pronë private e dy kompanive që paguajnë 1 euro për ta shfrytëzuar këtë pasuri publike për resorte turistike. Është fjala për bazë ushtarake dhe në këto raste janë disa procedura ligjore specifike që duhen respektuar reptësisht. Me nxitjen e ministrisë së mbrojtjes, Forca Detare kishte rënë dakord me kompanitë që të ndërtohej baza ushtarake dhe një port në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrore. Ndërsa pjesa tjetër prej 30 mijë metrash ti jepej kompanive për të zhvilluar projektin e tyre.

Por Kompanitë private nuk u mjaftuat me kaq dhe kërkuan të gjithë sipërfaqen për të zhvilluar projektet e tyre. E gjithë sipërfaqja prej 40 mijë metrash katror i kaloi kompanive private duke lënë jashtë mundësinë për të ndërtuar portin dhe bazën e re për flotën detare. Por nuk mjafton abuzimi ndër vite ndaj pronës private dhe shtetërore në bregun e detit. Për të kuptuar qasjen e shtetit shqiptare ndaj pronës dhe pronarëve në bregun e detit mjafton të dimë se institucionet e këtij vendi nuk kanë përcaktuar një vijë fikse se ku fillon prona shtetërore në breg dhe ku fillon ajo e privatit.

Janë të shumta problematikat e bregdetit dhe gjitha të shumta janë edhe dokumentet e hedhura në dhjetra faqe nga ministritë e turizmit në 30 vite në formë ligjesh apo strategjish. Por ato nuk janë përkthyer në projekte konkrete që do të prodhonin një markë shqiptare në turizmin rajonal.

Çdo qeveri në çdo vend normal, nëse do të kishte këto resurse turistike që ka Shqipëria, do të kishte përqendruar investimet pikërisht në turizëm për ta kthyer në një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Padyshim do të kishte qenë një ndër destinacionet turistike të rëndësishme në Evropë. Dhe për të arritur këtë do të duhej pikësëpari një strategji e qartë kombëtare për turizmin. Por ka ndodhur ekzaktësisht e kundërta.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!