Vetting për pedagogët? Kushi: Krahas pagave, kemi rritur investimet në infrastrukturën arsimore

schedule21:35 - 8 Mars, 2023

schedule 21:35 - 8 Mars, 2023

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi thotë se në mandatin e kaluar pagat e mësuesve u rritën 32 për qind, në mandatin e ri angazhimi është për 40 për qind. E ftuar në emisionin “Bardh a Zi” në Abc News, ministrja theksoi se krahas pagave po investojnë për të përmirësuar kushtet e punës për arsimtarët.

“Në mandatin e kaluar, pagat u rritën 32 përqind ndërkohë që këtë mandat do të rriten 40 përqind. Këtë gjë kemi filluar ta bëjmë vit pas viti. Përveç pagave që po rrisim viti pas viti, punojmë edhe për trajnimet dhe kualifikimin e mësuesve, po punojmë për përmirësimin e kushteve të punës.

Ne i kemi rritur ndjeshëm investimet në infrastrukturë.”, tha Kushi. Ministrja u ndal gjithashtu edhe nisma që kanë ndërmarrë për të stimuluar të rinjtë që të studiojnë për mësuesi. Nxënësit marrin një pagë minimale dhe përjashtohen nga tarifat nëse zgjedhin të studiojnë për një degë të mësuesisë.

“Vitin e kaluar kemi ndërmarrë një politikë të rëndësishme. Mësuesinë e kemi shpallur një nga programet prioritare dhe ata maturantë që zgjedhin mësuesinë, marrin një pagë minimale dhe përjashtim nga tarifat. Një student të marrë çdo muaj 400 mijë lekë të vjetra çdo muaj është një ndihmë.

Ne e morën këtë vendim vitin e kaluar në maj dhe maturantët e kanë marrë vendimin se çfarë do të studiojnë. Ne kishim 160 aplikime, patjetër që ka interes dhe ndërkohë nuk është vetëm kjo. E para është mbështetja e studentëve për këtë program por nga ana tjetër vlerësimet që i bëhen figurës së mësuesit është një stimul, rritja e pagave, vlerësimi me meritokraci dhe transparencë.”, tha ministrja.

Ministrja u pyet gjithashtu edhe për korrupsionin në universitete. A do të ketë një vetting për pedagogët?

“Jemi shumë strikt në këtë aspekt. Këto janë mekanizma që nuk i përcakton ministria por universitetet me autonominë institucionale, kanë rregullore. Ne çdo rast denoncimi që kemi, ne e trajtojmë. Por këtu janë organe të tjera që i trajtojnë raste të tilla. Ka institucione ligjzbatuese për korrupsionin.“, tha Kushi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!