EMISIONI VETTING
Në 5 mujorin e fundit të pagës 40 mijë lekëshe që u caktoi qeveria, naftëtarët e Ballshit ndihen të pashpresë. Premtimi parazgjedhor, për gjetjen e një investitori që do të rivinte në punë Uzinën, nuk është konkretizuar as pas zgjedhjeve. Të gjendur në këto kushte, afro 900 naftëtarë kanë rënë dakord për të vijuar përpjekjet, derisa të rifillojë puna në uzinë e të marrin 13 pagat e prapambetura të akumuluara gjatë viteve 2015-2016. Gjykata Tiranë u ka dhënë të drejtë 505 kreditorëve dhe është duke shqyrtuar edhe rastet e tjera, ndërkohë që vendimet e saj ashtu si edhe Urdhëri i Përmbaruesit për Vënien e Sekuestros Konservative i tetorit te viti 2019, pavarësisht se kërkonte ekzekutim të detyrueshëm, ende nuk zbatohet. Kryeministri Edi Rama 6 muaj më parë, u shpreh se pagat e prapambetura nuk janë çështje e qeverisë, pasi përgjegjësia sipas tij i takon kompanisë, por avokati përfaqësues i naftëtarëve, Bashkim Merkaj, shprehet se këta investitorë, që “shkojnë e vijnë” prej vitit 2008 kur u privatizua shoqëria “ARMO”, pjesë e së cilës ishte rafineria e Ballshit dhe e Fierit, kanë qenë të zgjedhura prej tyre.
Me përgjegjësi qeverinë shqiptare ndaj këtyre naftëtarëve e bën sipas ekspertit kontabël Sotiraq Dhamo edhe mungesa e kontrollit të shtetit në menaxhimin e Uzinës gjatë këtyre viteve, edhe si ish-aksioner i 15 përqind të aksioneve. Roli i shtetit shqiptar, diskutohet nga specialistët edhe sa i përket borxheve të akumuluara nga pronarët dhe qiramarrësit e “ARMO-s” ndër vite, të cilat mbeten të pashlyera edhe sot. Në vitin 2018 Tatimet do të publikonin listën e 30 kreditorëve më të mëdhenj ku kryesonte ARMO me 8 434 597 lekë. Pavarësisht fshirjes nga regjistrat e borxhit të 10,7 miliardë lekë detyrime të akcizës që ARMO i detyrohej Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (sipas raportit të performancës së KLSH, 2018) kjo shoqëri si dhe të tjera kompani hidrokarburesh vijojnë të kryesojnë listën e debitorëve të mëdhenj.
Drejtoria e Tatimeve për emisionin shprehet se sot ARMO rezulton në listën e subjekteve me barrë hipotekore dhe siguruese, por ligji nr.9920 i mbron kësaj shoqërie si tatimpagues të drejtat e konfidencialitetit. Kështu informacionet për vlerën e arritur të borxhit, kompanisë që i ka aktualisht përsipër këto detyrime etj., “u ofrohen vetëm Gjykatave, Prokurorisë, KLSH-së, Autoriteteve të ngjashme të huaja, Institucioneve të pavarura të krijuara me ligj.”. Mirëpo pavarësisht rezervimit në raste konkrete, shifrat e publikuara nga Tatimet, reflektojnë tolerancën ndaj kompanive të mëdha. Bazuar në “Raportin vjetor për 2020-tën” të Tatimeve, në stokun total të borxheve shënohen 122,5 miliardë lekë, ku borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet përbën 68 përqind të stokut total. Mes këtyre kompanive është edhe “Bankes Petroleum”, me të cilën duket se është gjendur një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve.
Ndryshe nga DPT, Bashkia Mallakastër zbulon për “Vetting” marrëveshjen nr.2029 që lidhi me Armon në 10 dhjetor të 2016-ës për shlyerjen e 681 262 699 lekë detyrimeve të grumbulluara prej vitit 2009 dhe ecurinë e saj deri më sot.
Përparësi si kreditorë, edhe ndaj Tatimeve, në zotërimin e aseteve të ARMO-s, sipas avokatit Bashkim Merkaj, do të duhej të kishin naftëtarët, megjithatë ai shpjegon se si kanë mundur të avancojnë palët e treta si bankat. Lënia në mëshirë të fatit e këtyre punonjësve lidhet sipas tij edhe me mungesën e një statusi të plotë që do të mbronte të drejtat e tyre. Ndonëse qeveria e proklamoi me të madhe në vitin 2017, naftëtarët nuk mundën të përfitojnë prej “Statusit të punonjësve të industrisë, naftës dhe gazit”.
Sipas informacioneve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në strukturat e saj “ janë depozituar rreth 9,628 kërkesa për përfitim sipas ligjit nr.8/2017. Por, me ligjin 8/2017 nuk u caktua asnjë përfitim, për arsye se nuk u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave ”. Ligji 29/2019 “Për trajtim financiar shtesë”, jo vetëm që rrëzonte përfitimet e “Statusit” të dy viteve më parë, por ulte edhe shtesën mbi pension nga 1 përqind në 0.6 për punonjësit që kanë mbi 6 vjet në punë. Sipas avokatit Bashkim Merkaj, aktualisht naftëtarët që nuk kanë dalë në pension, nuk kanë asnjë përfitim prej këtij ligji. Sikundër e ka pranuar edhe vetë ministrja e Financave Anila Denaj, ky ligj me afat 10-vjeçar nuk zëvendëson statusin, që për punët me risk të lartë është një domosdoshmëri.
Shifrat që jep për “Vetting” drejtori i Inspektoratit të Punës Ardit Kaja, do të duhej të ishin një shtysë më shumë për një status të plotë për naftëtarët dhe metalurgët. 6 prej punonjësve të këtyre dy sektorëve humbasin jetën çdo vit, e mesatarisht 34 aksidentohen. Mirëpo, pavarësisht këtyre vështirësive, naftëtarët sikundër edhe specialistët janë të vetëdijshëm se rafineria, mbetet e vetmja shtyllë që mund të mbante në këmbë ekonominë e familjeve të Ballshit. Inxhinieri Nako Petro, ish-drejtues i uzinës për afro 9 vite rrëfen se kjo rafineri, me afro 25 milionë dollarë investim, mund të vihej në punë, pasi është në gjendje të prodhojë naftë cilësore për tregun dhe të jetë një konkurrente me peshë. Ai propozon rishtetëzimin e saj nga qeveria jonë, duke vënë në krye të saj, jo menaxherë militantë, por specialistë të fushës. Një plan të mirëmenduar 5 vjeçar nga ana e qeverisë për rifillimin e punës edhe rimarrjen e rafinerisë e propozon edhe eksperti kontabël Sotiraq Dhamo, ndërsa sugjerimeve u përgjigjet për emisionin Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, duke zbulur më tej se, në çfarë pike janë bisedimet me investitorët e mundshëm, në një kohë që pronare e uzinës është Banka Credins.
Shitja e papërpunuar e naftës, dhe përparësia që i jepet importit të saj në Shqipëri, janë, sipas inxhinierit Nako Petro, një arsye më shumë, që shteti të rimarrë në dorë krahas rafinerisë së përpunimit të Ballshit, edhe menaxhimin e nxjerrjes së saj. Ai shpjegon gjithashtu se ku çedon sot puna e Bankers Petrolium, që ka afro 90 përqind të prodhimit të përgjitshëm vendas dhe pse sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kjo kompani nuk po përmbush detyrimet fillestare sipas së cilave është kontratuar.
Në këtë situatë, kur “pengamarrja” e Uzinës së Ballshit gjeneron humbje nga të gjitha anët, naftëtarët thonë se nuk do të ndalen, derisa çështja e tyre të gjejë zgjidhje. Ata kërkojnë ekzektutimin e vendimit të Gjykatës për të marrë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës, pasi siç theksojnë, e ardhmja e Ballshit diktohet nga fati i rafinerisë…
………………….
Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.
/ Abcnews.al