VETTING/ Kanabizimi i Shqipërisë dhe policia, si fikeshin radarët për të kaluar trafikantët

schedule20:36 - 20 Korrik, 2021

schedule 20:36 - 20 Korrik, 2021

Lufta kundër kanabisit e në dy mandate ka rezultuar e dështuar. “Shpirti”, “shefi” dhe “kulmi” janë tri operacionet e antimafias italiane tregojnë realitetin për kultivimin dhe trafikun e kanabisit si dhe implikimin e policisë në këtë trafik droge. Premtimi i Ramës për ndarjen e policisë së shtetit nga krimi, 300 ditëve e parë të mandatit të parë, ende ka mbetur premtim. Kryeministri ka bërë një premtim të ri, sapo u rikonfirmua në mandatin e tyre të qeverisës, për 100 ditë policia duhet ti kthehet shërbimit ndaj qytetarëve. “Shefi”, një histori kanabisi me policë, vetting në ABC

Jo për 300, as për gati tri mijë ditë në dy mandatet qeverisëse, Rama nuk ia ka dalë të kthejë policinë në shërbim të qytetarëve.
Presim 100 ditët e para të mandatit të tretë për të parë nëse do kemi rezultate që premtohen çdo fillim mandati qeverisës.

Është një ndër shfaqjet e politikës në sallën e parlamentit më 17 prill të vitit 2014. Mazhoranca e re e drejtuar nga Edi Rama e Ilir Meta po përballej me akuzat e opozitës, sipas të cilave, qindra parcela me kanabis të mbjella maleve të Shqipërisë po trafikoheshin me mënyra të ndryshme deri edhe me avionë.

Akuzave të Berishës se në Gjader ishin ulur avionë droge, do ti përgjigjej me një argumente qesharak, zv.ministri i mbrojtjes.

Debate në parlament do të përfundonte herë pas here në banalitet. Dy krerët e mazhorancës, Meta e Rama përgjigjeshin me humor akuzave të opozitës se droga po trafikohej me avionë.

Por vetëm 24 ditë më vonë, më 11 maj 2014, një “mushkonjë” e cila do ngarkohej me 460 kilogram kanabis ra në bregun e Divjakës. Piloti Italian me emrin Giorgjo Riformato drejtonte këtë avion të vogël që po ulej në bregdet për tu mbushur me drogë.
Do të pasohej kjo ngjarje me ngazëllimin e opozitës si vërtetim i akuzave dhe me shfajësimet e mazhorancës që shkonin deri në skenare të paimagjinueshme, për inskenim të ngjarjes.

Do të shuhej aty lufta pa asnjë fajtor e pa përgjegjës nga ana e institucioneve shtetërore. Një muaj më pas në qershor 2014, policia e shtetit zbarkoi në Lazarat, vend I njohur për kultivimin e kanabisit e ku policia nuk kishte mundur të shkelte.

U duk se qeveria kishte tashme një strategji të qartë për të pastruar Shqipërinë nga kanabisi. Por shpejt do të kuptohej se kishte qenë një aksion i veçuar dhe lufta kundër trafikut nuk ishte një strategji.

Në parlament vazhdonte beteja mes dy fronteve me akuzat e opozitës dhe mohimin e mazhorancës për tu kthyer shpejt në rutinë.

Ndërsa vëmendja përqendrohej në këto shfaqje parlamentare, muajt e vitet në vazhdim do të rritej pandalur sipërfaqja e bleruar me kanabis nëpër malet e Shqipërisë.

Nëpër podiumet e politikës vetëm flitej për luftë kundër kanabisit, ndërsa pala italiane nuk ndalej duke kapur tonelata me lende narkotike në kufirin detar me Shqipërinë.

Mohimi i realitetit mbeti e vetmja përgjigje e mazhorancës. Por propaganda nuk mund të vazhdonte të mbulonte përjetësisht realitetin.

“Shpirti”, “shefi” dhe “kulmi” janë tri operacionet e antimafias italiane që na tregojnë realitetin në malet e mbuluara me kanabis, trafikun brigjeve të jonit e Adriatikut, implikimi e policisë së shtetit deri në nivelet më të larta të saj në këtë trafik droge. Dosja që vjen e gatshme nga prokuroria italiane, e përkthyer me përtesë nga pala shqiptare, na tregon shkallën e implikimit jo vetëm të policisë por edhe të prokurorisë e politikës.
Janë 5 të penduar të drejtësisë, të arrestuar në Itali të cilët kanë rrëfyer më detaje se si mbillej kanabis dhe më pas trafikohej drejt Italinë më ndihmën e drejtuesve të policisë ku bëhet pjesë edhe një prokuror.

Drejtësia e vendit fqinj, arriti të bëjë bashkëpunëtorë të drejtësisë 5 shqiptarë të gjithë të përfshirë në trafikun e disa tonëve kanabis matanë Adriatikut. Maringlen Shusha, Donald Drolli, Elton Hamza, Fërhat Ajdini dhe Fiqeret Seferi treguan me detaje se si behej trafiku në nga viti 2014 deri në 2017.

Bazuar në dëshmitë e të penduarve, autoritet italianë detyruan qeverinë shqiptare të angazhohet për ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore. Dosja e palës italiane I kaloi në administrim Prokurorisë së posaçme. SPAK nisi hetimet kryesisht, bazuar tek materialet e palës italiane.

Një ndër detajet e rëndësishëm që gjendet në dëshminë e Fiqeret Seferi dhe Fërhat Ajdini, tregon implikimin e dy truprojave të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës.

“Gjatë ngarkimit të gomonit Gusti dhe Hekurani kishin radiot e pistoletat , ata janë policia , nuk ishin me veshje policie. Unë kam parë edhe radiot e sintonizuara në kanalin e policisë shqiptare. Me radiot flisnin me kolegët e tyre duke i thënë se çdo gjë po shkonte mirë.”

Sipas dëshmive, Agustin Deda dhe Hekuran Marku ishin pronarë të parcelave me kanabis të mbjella në Memaliaj. Ata kanë treguar se atje punonin 20 deri në 30 punëtorë për 15 deri në 20 euro në ditë. Ata kanë ngarkuar drogën për ta dërguan në plazhin e Vilë-Bashtovës në Kavajë aty ku i priste gomonia. Seferi dëshmon gjithashtu se gjatë rrugës, kur janë ndeshur me policinë, dy truprojat e ministrit i kanë siguruar se nuk rrezikonin asgjë.


“Kemi shkuar Memaliaj , ku kishin kultivuar drogën në një plantacion në hapësirë , që ishte shpërndarë në dy-tre zona në mes të pyllit. Kemi hyrë në një magazinë ku ishin 20-30 punëtorë që po pastronin gjethet e marijuanës , që ndodheshin në thasë të mëdhenj. Plantacioni ishte i Hekuranit e Pingio komandonte punëtorët që merrnin 10-15 euro në ditë. “

Një tjetër moment ku implikohen punonjësit e policisë është dëshmia e të penduarit tjetër Marenglen Shusha. Ai i ka dëshmuar para hetuesve se drejtuesi i grupit kriminal Ilirjan Duçellari, kishte mbështjen e zëvendës drejtorit të policisë së Vlorës Ilirjan Balla.

Sipas dëshmisë Balla e ka ndihmuar grupin kriminal gjatë kohës kur kryhej trafiku. Ilirjan Balla u arrestua më 2 korrik të këtij viti. Në këtë kohë ai mbante detyrën e shefit të sektorit të trafiqeve në policinë e shtetit. Duçellari i kishte siguruar oficerit të lartë të policisë, edhe një shtëpi më qira sipër lokalit të tij në Vlorë. Sipas dëshmisë, Balla merrte 15 mijë euro për të siguruar paprekshmërinë e ngarkesave me drogë, derisa të shkonin në bregun e detit, duke siguruar rrugën tokësore. Festim Lelaj është gjithashtu një ndër personazhet që kishte dhënë ndihmë të rëndësishme këtij grupi kriminal. Festim Lelaj mbante detyrën oficer i kufirit në Vlorë.

“15.000 janë paguar për tokën , e 15.000 për ujin dmth detin , e për pjesën detare , themi ujin ka folur me Festimin, ndërsa sa i përket pjesës tokësore ai Ilirjanin e kishte aty , e kishte 24 orë mbi 24 të pranishëm. Ilirjani ka marrë pjesën kur gomoni është nisur.”

Nëse i kthehemi sërish sallës së kuvendit dhe akuzave për trafik droge, do ta ndeshim shpesh akuzën dhe mohimin për fikjen e radarëve më qëllim për të lejuar trafikun e drogës.

Bashkëpunëtori i policisë italiane, Shusha ka dhënë përgjigje për dilemën e politikës shqiptare. Ai jep dëshminë tronditëse kur sqaron se për të fikur radarët e policisë, në mënyrë që të mos pikaseshin gomonet me drogë, paguheshin 15 mijë euro tek Lelaj. Në këtë mënyrë sigurohej rruga detare e ngarkesës. Sipas kësaj dëshmie grupi kriminal paguante 30 mijë euro për të siguruar rrugën e drogës në tokë dhe në det.

“Për rreth 40 minuta , një orë ky radar fikej e sipas muhabeteve te bëra ke Lani (i referohet Ilirjan Duçellarit) edhe makinat e policisë tokësorë, edhe ato të kufirit sipas meje, ama policia e kufirit ka tip makinash Land Rover , thëmi policia e kufirit është ajo që kontrollon bregun, e Lani më thotë që policia bënte , themi vërente gjatë shkarkimit. “

Marenglen Shusha dëshmon se përveçse në polici Duçellari kishte ndikim edhe në prokurorinë e Vlorës, konkretisht tek prokurori i Maksim Sota. Ai ka deklaruar se Sota është angazhuar që të zgjidhë probleme që ai apo pjesëtarë të grupit kriminal kanë pasur me drejtësinë. Kreu i grupit kriminal i kishte siguruar atij një shtëpi duke i paguar edhe qiranë.

“Nga deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë Marenglen Shusha ai ka deklaruar rrethana dhe takimi dhe bisedimi mes drejtuesit të grupit kriminal Ilirjan Duçellari dhe prokurorit Maksim Sota për probleme të ndryshme me drejtësinë dhe institucionet shtetërore duke detajuar raste konkrete për të cilat prokurori ishte angazhuar për zgjidhje të këtyre problemeve.”

Ky grup ishte kultivues i kanabisit në disa zona kryesisht Skrapar dhe Përmet. Sipas dosjes gjatë kultivimit Duçellari është mbështetur nga punonjës policie të cilët i garantonin paprekshmërinë e parcelave ku ishin mbjellë 45 mijë rrënjë dhe prodhimi i tyre arrinte deri në 8 ton kanabis.
Episodet e shkëputura nga dosja e prokurorisë na dëshmojnë nivelin që kishte arritur implikimi i policisë, prokurorisë dhe truprojave që mbrojnë politikanët, në kultivimin dhe trafikun e kanabisit.
E gjitha kjo histori trafiku e drogës ka ndodhur gjatë vitit 2014-2017. Gjatë kësaj kohe, politika vazhdonte misionin në parlament me akuza dhe mohime. Ndërsa grupet kriminale lëviznin të pa shqetësuar me ngarkesat e tyre me lëndë narkotike, madje shoqëroheshin nga policë të cilët për interes të krimit, arritën të fiknin edhe radarët.
Nëse i kthehemi sërish sallës së kuvendit dhe akuzave për trafik droge, do ta ndeshim shpesh akuzën dhe mohimin për fikjen e radarëve më qëllim për të lejuar trafikun e drogës.

Por sa e lehtë është të fikësh radarët dhe si është mbrojtur hapësira ajrore dhe detarë e Shqipërisë. Cilat janë ato ministri që kanë radarë në varësinë e tyre dhe si menaxhohen ato sipas ligjit .

Sipas ekspertit Goxhaj në këtë rast disa institucione mjaft të rëndësishme që kanë për detyrë sigurinë kombëtare të Shqipërisë nuk kanë funksionuar dhe kjo ka ndodhur për disa vite rresht.

“Në hapësirën ajror ka radar vetëm ushtria dhe aviacioni civil. Kurse në hapësirën detare përveç radarëve të ushtrisë janë edhe radarët e policisë. Për arsyes se mbulon kufirin kemi një kufi detar dhe ka radar të saj për këtë kufi se veprojnë në mënyrë të pavarur. Kemi edhe radar të ministrisë së transporteve po ashtu, ose radar të kapitenerisë së porteve. Varen nga mininistri të ndryshme. Duhet të funksionojnë 24 orë. Nëse bllokoj këtë radar të Vlorës, radari ka edhe pika të vendosura në pozicione të ndryshme. Që sjellin të dhëna për lëvizjet. Se një mjet largohet, radari lëshon një valë, nëse vala përplaset me këtë mjet , në rast se lëviz ajo vala kthehet mbrapsht dhe radari e përpunon dhe jep të dhënat se kemi një mjet në këtë vend dhe me këtë shpejtësi. E kalon këtë deri tek qendra në Durrës apo Vlorë. Këto janë në pika të ndryshme. Se po nuk funksionoj ajo në Vlorë ka pika në Sarandë dhe në Durrës. Por kur themi se fiket ai që ka pozicionin e monitorimit, ai lëviz dhe fik PC. Në këtë moment quhet e fikur dhe nuk e ke nën kontroll. Por radari vetë me ndihmëse e valëve ato e kapin dhe do mbetet në server” tha Goxhaj.

Të gjitha këto ministri që kanë përgjegjësi monitorimin dhe mbrojtjen e hapësirës detare dhe ajrore i bën bashkë kryeministri dhe sipas Goxhajt, aty duhet të kërkohet përgjegjësia.

“Kur bëhet fjalë për radarët, bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare dhe të dhënat dërgohen edhe tek presidenti se e kanë obligim. Ministri i Rendit, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i shërbimeve informative, Shefi i shtabit të përgjithshëm i Ushtrisë dhe Sheshi i shërbimi informativ të ushtrisë. Janë 5 subjekte që duhet të çojnë tek presidenti informacion dhe tek kryeministri po ashtu. Dhe tani nga 2014-2017 a kanë dërguar info këto institucione. Shefi i Shtabit të përgjithshëm dhe shefi i shërbimit informativ të ushtrisë duhet të çojnë informacione edhe tek ministri i mbrojtjes. A kanë çuar informacione? Cfarë masash janë marrë? Hirarkia është e tillë si duhet të funksionojë. A kanë bërë raporte? Shteti nuk ka funksionuar nëse nuk kanë bërë. Ndërsa nëse kanë bërë janë koka e trafikut këta që janë në krye”

Ndërkohë grupet kriminale konsolidonin lidhjet me policinë, në podiumet e politikës flitej me pompozitet për histori suksesi në luftën kundër drogës.

Sipas shifrave të qeverisë, i gjithë kanabisi ishte shkatërruar dhe trafikantët atë vit nuk do të mund të nxirrnin asgjë në treg. Madje goditja ishte aq e fortë sa ata nuk do merrnin vetën as në vitin pasardhës.

Por çfarë ndodhte vërtetë në Shqipëri në atë kohë, e tregon dosja e mbërritur nga Italia që çoi në arrestimin dhe shpalljen në kërkim të trup rojavve të ish-ministrit të brendshëm. Shifrat që konfirmon dosja në të vërtetë janë sukses i trafikut të drogës dhe jo i policisë së shtetit.

Sipas autoriteteve italiane trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë ishte kthyer në shqetësim madhor. Në dosje theksohet se nga janari i 2016 deri në maj 2017 në brigjet italiane janë kapur 6636 kilogramë kanabis. Por kjo mendohet të jetë vetëm një pjesë e vogël e drogës së trafikuar sipas hetuesve italianë pasi ata mendojnë se sasia është shumë herë më e madhe.

Në maj të këtij viti “Inicitiva Globale Kundër Krimit të Organizuar” publikoi raportin e fundit ku përfshihet edhe trafiku i drogës, krahas pastrimit të parave, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti evidenton se Shqipëria konsiderohet ende një vend kyç për prodhimin e kanabisit, rrugë kalimi për kokainën dhe heroinën ndërsa mban vendin e parë për pastrimin e parave nëpërmjet ndërtimit. Sipas raportit, kanabisi rritet kryesisht përreth malësisë së Dukagjinit, Krujës, Vlorës, Memaliajt, Tepelenës dhe Gjirokastrës si dhe përreth Fierit, Librazhdit, Lezhës, Mallakastrës, Bulqizës, Devollit dhe Laçit. Në tregun vendas, 1 kilogram kanabis shitet nga 1200 € në 1400 €, ndërsa rëshira e kanabisit me cilësi më të lartë kushton 1600 € deri në 2000 € për kilogram.

Kanabisi trafikohet nga Shqipëria në disa drejtime. Një pjesë transportohet me gomone në Itali nga Vlora, Fieri, Himara ose Lezha. Një rrugë tjetër e trafikimit shkon në jug përmes Ohrit dhe Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe më pas drejt Greqisë. Një rrugë tjetër është nga Shqipëria në Greqi me anije ose nëpërmjet maleve. Ndërsa shpesh përdoren edhe pikat kufitare Qafe Botë, Kapshticë dhe Kakavijë. Në këtë udhëtim dramatik për Shqipërinë, në rastin më të mirë policia mungon në rolin e saj ligjor dhe në rastin më të keq shfaqet si bashkëpunëtore me krimin. Padyshim nuk është një histori e re dhe nuk është fenomen i viteve të fundit, ky i përfshirjes së policisë me krimin.

Kur Edi Rama kërkonte votën për të qeverisur, pranverën e vitit 2013, pati premtuar:

Jo për 300, as për gati tri mijë ditë në dy mandatet qeverisëse, Rama nuk ia ka dalë të kthejë policinë në shërbim të qytetarëve.
Presim 100 ditët e para të mandatit të tretë për të parë nëse do kemi rezultate që premtohen çdo fillim mandati qeverisës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!