Kritikat e bashkësisë ndërkombëtare për ngecje të reformave në gjyqësor, vonesat në gjykimin e lëndëve të Prokurorisë Speciale, politizimi i gjykatave, rastet korruptive në mesin e gjyqtarëve e prokurorëve, kanë bërë që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të iniciojë nevojën e procesit të verifikimit, i njohur si “vetting”.
Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut tha se do të diskutojë fillimin e një procesi vetingu edhe me përfaqësues ndërkombëtarë për të shqyrtuar modalitetet e nisjes së tij ndërkohë që Komisioni Anti-korrupsion ka kërkuar të verifikojë listat anketuese të të gjithë punonjësve në gjyqësor. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska tha se prêet që Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit të nisë një procedurë serioze për kontrollin e listave anketuese të gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për procesin e vetting-ut të gjyqtarëve, pra verifikimin e pasurisë së tyre. Deskoska tha se do të bisedohet edhe me partnerët evropianë për një vetting gjithëpërfshirës në gjyqësi dhe Prokurorinë publike.
Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë vjen në veçanti pasi ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, u lirua nga ndjekja për një vepër penale për shkak të vjetërsimit të lëndës, apo zvarritjes së procesit gjyqësor. Gjykatësit thonë se nuk janë kundër procesit të verifikimit të tyre, pasi me këtë do të eliminohen të gjithë dyshimet mbi punën e tyre. Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale të Shkupit, tha se vetingu duhet të ndodhë dhe të hiqen të gjitha dyshimet lidhur me punën dhe ndershmërinë e punonjësve të sistemit të drejtësisë, para se gjithash të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita shprehet se vetting-u duhet të përfshijë jo vetëm gjyqtarët, por edhe politikanët, por VMRO-DPMNE nuk beson në suksesin e Vettingut. Petar Arsovski, zëdhënës i VMRO – DPMNE, tha se vetingu duhet të përfshijë edhe politikanët dhe theksoi se vettingun duhet ta bëjnë njerëz që nuk kanë të kaluar të dyshimtë apo që nuk janë të përfshirë në veprime inkriminuese. Ai tha se vetting-u propozohet nga qeveria e cila është e zhytur deri në fyt, sipas tij, në veprime kriminale.
Vetting-u fillimisht është kërkuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por kërkesa e saj nuk u mor parasysh nga partitë tjera. Partitë politike ndërkohë ende nuk kanë arritur të miratojnë Ligjin për Prokurorinë Publike ndërkohë që Prokuroria Speciale është shuar dhe prokurorët e saj kanë kaluar në organin e rregullt të akuzës. Ish kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva, ndodhet në paraburgim, e dyshuar për rastin “Zhvatja”./abcnews.al