VETTING-Të penduarit e bandave të Elbasanit, tradhti dhe vrasje

schedule21:05 - 6 Prill, 2021

schedule 21:05 - 6 Prill, 2021

Elbasani nuk është më si dikur. Dita e verës, ku ndahen mes politikanësh, bëmat me lule e ballokume, nuk i ngjan ditëve të zakonshme. Problemi i vetëm nuk janë përplasjet teatrale të zyrtarëve të lartë që marrin vëmendjen kryesore, por gjithçka ndodh në prapaskenë. Rrugët e qytetit po shtrohen çdo ditë me ngjarje të kobshme duke e bërë terrenin të ashpër për qytetarët, të cilët si të vetmen zgjidhje shikojnë, braktisjen e Elbasanit. E ardhmja nuk duket se do te ushqejë ngjarje të mira, nëse problemeve të qytetit nuk u jepet zgjidhje. Varfëria është vetëm një prej tyre.  Kriminaliteti veçse e zhyt më shumë në kaos ekonominë e qytetarëve të thjeshtë. Tetorin e vitit të kaluar prokurori i përgjithshëm Olsian Çela do deklaronte se krimi po kontrollonte Elbasani dhe ekonominë e këtij qyteti.

Prej vitit 2005, Elbasani është kthyer në një arenë ku zhvillohen ditë pas dite, luftëra të përgjakshme mes bandave. Shënjestrës së grupeve mafioze të qytetit, nuk i kanë shpëtuar as ata që kanë jetuar jashtë tij, apo edhe përtej Shqipërisë. Viktimat e këtyre aferave kriminale janë shënuar edhe në vende si Italia apo Holanda. Ka pasur ndër ta edhe të pafajashëm. Kalimtarë të rastit që s’kanë mundur t’i shpëtojnë çarqeve, që mafiozët ngrënë për njëri tjetrin, duke përhapur plumbat si të ishin fishekzjarre. Elbasani sot nuk është më një vend aq i sigurt për qytetarët e tij.

Për grupet mafioze që u kanë kushtëzuar jetën banorëve të Elbasanit, veçse pëshpëritet qosheve të qytetit.  Në këtë situatë, kur thuajse askush nuk guxon të drejtojë gishtin drejt shkaktarëve, a të përmendë emra konkret, rrëfimet e të penduarve bëhen shpresëdhënese. Provat plotësuese për ngjarjet tronditëse të këtyre 16 viteve do ta bënin më konkrete  ndryshimin e rrotës së historisë për Elbasanin, por fjala e fundit i mbetet drejtësisë.

Në rrjedhën e kronikës së zezë, ku dita-ditës emrat e viktimave shtohen, janë dy të penduarit, që kanë vendosur t’i besojnë drejtësisë e të bashkëpunojnë. Mbi dëshmitë e tyre prokuroria e policia kanë mundur të zbardhin disa prej krimeve më të bujshme, që kanë tronditur jo vetëm Elbasanin, por mbarë Shqipërinë.

Rrëfimi i 40-vjeçarit Ervis Bardhi, si nyje lidhëse e ngjarjeve kriminale më me peshë në Elbasan, vjen i rindërtuar në “Vetting”, me detaje e emra konkretë. Ballafaqimi me dëshmitë e tjera, bashkë me mospërputhjet e deklarimeve të tyre, zbardhen duke diktuar kështu motivet pse Gjykata Elbasan, ia ktheu  dosjen Prokurorisë për ta plotësuar. Mungesa e provave shkencore që do të faktonin gjithçka thuhet nga të penduarit, e të tjerë emra të përfshirë, është shkaku kryesor, që mban vendimet pezull.

Bardhi, ka bërë i pari hapin vendimtar duke i treguar prokurorisë së këtij qyteti se si vranë babë e bir, Gentian e Nezir Beqirin në 2012-ën, së bashku me Olsi Lekën.  Sipas dëshmisë së Bardhit që gjendet në dosje, kjo vrasje e dyfishtë është porositur nga dy vëllezërit Ardian dhe Florenc Çapja, për shkak se Gentian Beqiri kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tyre Sokol Çapjas në vitin 2005. Kjo është edhe dëshmia që çoi në arrestimin e Ardian Çapjas në Elbasan në 29 mars dhe shpalljen në kërkim të Florenc Çapjas.

Pendesa e Bardhit, siç ai tregon, lidhet edhe me provat që policia kishte mundur të mbledhë kundër tij. Një gjurmë gishti e mbetur në targën e mjetit me të cilën dy vrasësit janë larguar nga vendi  i krimit u bë shkas për rihapjen e hetimeve në vitin 2018. Një vit më pas ai do të vetëdorëzohet në polici, duke treguar se si së bashku me Lekën, mundën të futeshin në shtëpinë e Beqirajve, ku shkelnin vetëm miq të ngushtë të Gentianit e familjarë të tyre.

Gjithçka nisi në prill të 2011-ës kur në vend të dënimit me burg për Gentian Beqirajn u caktua arresti i shtëpisë, për shkak të paralizës që kishte pësuar gjatë tentativës për tu arratisur nga komisariati i Sarandës, duke u hedhur nga kati i dytë.

Sipas dosjes, për të fituar besimin e familjes Beqiri dhe Gentianit fillimisht u përdor Etjen Cani. 30-vjeçari banonte në një lagje me ta dhe kishte njohje familjare. Ai shkonte shpesh në shtëpinë e viktimës në mënyrë që ti largonte mërzinë. Pasi doli nga burgu edhe Ervis Bardhi ka filluar të hyjë në shtëpinë e Gentian Beqirit, ndonëse kishin edhe një njohje sipërfaqësore prej kohëve kur vuanin dënimin në burgun e Peqinit. Me Olsi Lekën, rrethi i vizitorëve shtohet zinxhir në shtëpinë e mbikëqyrur të Gentianit. Takimet, sipas rrëfimit të Bardhit, kanë qenë të mjaftueshme sa për të fituar besimin e familjes, e për të pasur lehtësirat e nevojshme, që të kryenin vrasjen 9 vite më parë.

Mëngjesi i 15 gushtit të 2012-ës është i përshkruar në dosjen hetimore me detaje. Detaje të cilat, dy autorët Ervis e Olsi Leka kanë mundur t’i studiojnë përgjatë muajve të tërë për të kryer pa gjurmë vrasjen e dy anëtarëve të familjes Beqiri.

Të dy, janë siguruar më parë, që zonja e shtëpisë të largohej nga banesa dhe menjëherë pas kësaj, janë afruar drejt pallatit. Dy pozicionet e policëve që mbikëqyrnin Gentianin e siguronin mbrojtjen e familjes, ishin të favorshme për t’i lënë rrugë të lirë zhvillimit të ngjarjes. Njëri duke lexuar gazetën brenda në makinë e tjetri, pranë hyrjes së pallatit. I ati i Gentianit, Nezir Beqiri që ishte rojtari i tretë, por më i përkushtuari për mbrojtjen e së birit, ishte ulur në një karrige në sheshpushimin mes katit të katërt dhe të pestë.  Dera pas së cilës gjendej Gentiani ka qenë e mbyllur, ndaj për të mundësuar hyrjen Olsi Leka merr babain e Gentianit në sheshpushim. Ky i fundit në mirëbesim hap derën, ndërsa Ervisi pa u stepur niset në dhomën ku flinte objektivi. Me të dëgjuar hapat Gentiani, bën të ngrihet nga dysheku i shtruar për tokë, ku po flinte, por Bardhi nuk i lë kohë. Plumbi i parë e kap viktimën në faqe. Pistoleta bllokohet ndaj vrasësi tërheq këmbëzën, dhe pas tre plumbave në kokë, viktima mbetet e vdekur në vend. Ngjarja zhvillohet në praninë e të atit, i cili sapo kupton se ç’po ngjet u bërtet dy vrasësve duke u thënë se “çpo bëni”, por ata nuk ndalen. Olsi Leka e godet Nezirin e moshuar me grusht në fytyrë duke e rrezuar në tokë. Më pas e qëllon me shkelma në gjoks, derisa tronditjen e zemëratën për vrasjen e të birit ia frenon duke e mbytur me një jastëk, që e merr aty pranë. Pas kësaj, dy autorët e krimit zbresin shkallët e pallatit dhe largohen drejt Fushë-Mbretit, ku vendosin të qëndrojnë në banesën e një miku.

Disa ditë më vonë, sipas asaj që Ervisi tregon, është kryer dhe takimi me Florenc Çapajn, i cili u ka dhënë edhe një çantë me para. 50 mijë euro të cilat ata do t’i numëronin  në shtëpinë e vjehrrit të Olsi Lekës.

Ky i fundit pritet të pyetet për ngjarjen, njësoj si nëna e Gentianit, Behije Arapi dhe motra e tij Valbona Beqiri. Të dyja familjaret në dëshmitë e tyre kanë pohuar se në banesë hynte vetëm Lorenc Skilja shok fëmijërie i Gentianit dhe Etjen Cani, që ishte sjellë në banesë nga Lorenci. Në asnjë prej deklarimeve të tyre Behija dhe Valbona nuk përmendin Ervis Bardhin dhe Olsi Lekën. Kjo është një ndër arsyet pse Gjykata ka kthyer pas dosjen për t’i ripyetur.

Hetime të mëtejshme janë të domosdoshme, qoftë edhe për të qartësuar pretendimet e Prokurorisë se Ervis Bardhi është futur në banesë nga Etjen Cani, në një kohë që rezulton se ai njihej me parë me Gentianin. Ata kishin qenë në të njëjtin burg në Peqin për disa muaj ku Ervis Bardhi kishte shprehur dëshirën për të qëndruar në një qeli me Beqirin.

Hetuesve u duhet të sqarojnë edhe të vërtetën mbi telefonin e gjetur në dhomën e Genian Beqirit. Sipas prokurorisë ky numri është i Etjen Canit pasi është gjetur në të një mesazh i të dashurës së tij. Por, gjykata shton se polici roje Neshat Budani e ka të regjistruar këtë numër në emrin e viktimës Gentian Beqiri. Dhe në këtë pikë, ai që pritet të hedh dritë mbetet efektivi i policisë në pyetësorin e radhës.

Edhe veprimet e dy policëve Neshat Budani dhe Sami Derstila kanë nevojë për rihetim për gjykatën. Sipas një përgjimi ambiental të bërë ndaj tyre menjëherë pas ngjarjes, ata shprehen se derën e ka hapur plaku, duke iu referuar Nezir Beqirit. Po në këtë përgjim ata shprehen se: dera nuk u hapej as atyre, ca u bënë këta Çapallarët , nuk ka shtet.

Si porositës të vrasjes, duhen pyetur edhe Ardian dhe Florenc Çapja, dhe kjo është një nga 14 detyrat që Gjykata i jep Prokurorisë. Hetimet e deritanishme, sipas gjykatës nuk provojnë autorësinë e aq më tepër porosinë. Arma, si provë e krimit, përbën një mungesë tjetër të rëndësishme. Pavarësisht kërkimeve që janë bërë në vendin ku bashkëpunëtori i policisë pretendon se e ka hedhur, ajo nuk është gjetur.

Sipas Gjykatës, dosja hetimore nuk duhet ndarë dhe duhet të përmbajë rrëfimet e të gjithë të pandehurve, nëse prokuroria ka prova se vrasja është bërë nga Ervis Bardhi dhe Olsi Leka me ndihmën e Etjen Canit si dhe porosinë e vëllezërve Çapja. Kjo sipas gjykatës, do të ndihmonte të viheshin para drejtësisë, të gjithë personat e përfshirë, në rast se provohej dëshmia.

Në të kundërt, jemi para veprës penale të dëshmisë së rrëmë, thuhet në vendimin.

Sipas vendimit të dhjetorit të 2020 ku prokuroria kërkoi dërgim të bashkëpunëtorit të drejtësisë Ervis Bardhi dhe Etjen Canit nga hetimi i deritanishëm faktohet se ka ndodhur vrasja. Por nuk faktohet me prova shkencorë autorësia, dëshmia e të penduarit dhe porositësit e vrasje së dyfishtë. Megjithatë vendimi i marsit i gjykatës së Elbasanit për të arrestuar Ardian dhe Florenc Çapjan nuk është bërë publik dhe nuk dihet cilat janë provat e reja të prokurorisë që e çuan drejt kërkesës për arrestimin e tyre.

Nuk është ngjarja e vetme në Elbasan që ka një të penduar I cili ka  vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë. Verën e vitit 2020 Elbasani do të tronditej nga dy vrasje të tjera me diferencë vetëm 10 ditë nga njëra-tjetra.

Në 20 korrik do të vritej në afërsi të banesës së tij Emiljano Ramazani. Autorëve iu deshën vetëm 35 sekonda për të kryer ekzekutimin mafioz.  Kjo është makina e tyre  që pret objektivin vetëm 50 metra larg banesës së tij në rrugën kryesore. Disa minuta më vonë vjen dhe 40 vjeçari Ramazani i cili futet për në sheshin e pallatit me mjetin e tij. Pak sekonda më pas autori del nga makina dhe në brez ka pistoletën të cilën e nxjerr disa metra pasi del nga makina. Shkon drejt objektivit e qëllon me 5 plumba duke e lënë të vdekur Ramazanin  . Është kthyer përsëri në mjet dhe duke u larguar në drejtim të fshatit Vidhas aty ku dogjën mjetin. Në këtë vendngjarje autorët nuk lanë asnjë gjurmë, duke e bërë të vështirë identifikimin. Dukej një nga dhjetëra vrasjet e ndodhura në Elbasan e cila nuk do të zbardhej.

Natën e 30 korriku Elbasani do tronditej nga një tjetër vrasje. Regis Runaj do të masakrohej me thikë në afërsi të varrezave të qytetit pasi u qëllua 27 herë.  23 vjeçari njihej si mik i Emiljano Ramazanit dhe prokuroria vendosi ti hetojë këto ngjaje sit ë lidhura me njëra-tjetrën. Por ndryshe nga vendngjarja e 10 ditëve më parë autori këtë radhe kishte lënë gjurmë në vendin e ngjarje. Nga hetimi prokuroria arriti të identifikojë se autor të krimit të rëndë Euglen Halilin, duke e arrestuar rreth një javë  më vonë . Ky i fundit pranoi autorisënë e kësaj vrasje dhe vendosi të bashkëpunoje me drejtësinë.

23 vjeçari tregoi se përveç vrasjes së Runajt ai kishte marrë pjesë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, duke identitifkuar si bashkëpunëtor Xhulio Hoxhën. Sipas Halilit për këtë dy vrasje ata do të paguheshin 100 mijë euro nga Erjon Alibej, personazh i njohur në qytetin e Elbasanit. Në vitin 2018 vëllai i Erjonit , Endriti , daja Albert Dylgjeri dhe shtetasi turku Erdal Durunay u vranë në një atentat.

Alibej dyshonte se vrasjen e familjarëve të tij e kishin kryer apo kishin dijeni Emiljano ramazani dhe Regis Runaj dhe ai kishte evdnosur të hakamerrej. Për këtë organizoi dhe pagoi Xhilio Hoxhën dhe Euglen Halilin.

Këto janë  ngjarjet kriminale në Elabsan të cilat prokuroria thotë se i ka zbardhur. Sipas prokurorisë, zbardhja e katër vrasjeve sipas akuzës bazohet në dëshminë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe janë të shoqëruara me prova shkencore. Por vendimi i gjykatës së Elbasanit për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit kërkon prova shtesë për gjykatën për të konfirmuar dyshimet e prokurorisë. Ndërsa në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt situata është krejt ndryshe për shkak së janë ngjarje të vitit që lamë pas dhe provat duket se do të jenë më të thjeshta për tu gjetur nga hetuesit.

Në Elbasan ka filluar të vritet frika dhe persona të cilët kanë dijeni për krimet e ndodhura në qytetet, po kalojnë në anën e drejtësisë. Por është detyrë e prokurorisë që këto dëshmi ti kthejë në prova dhe të çojë para drejtësisë, autorët dhe porositësit e këtyre ngjarjeve kriminale.

Politika është gjithashtu në provë për të kontribuar në kthimin e normalitetit të këtij qyteti. Hijet e historisë së bandave të Elbasanit janë përzier shpesh me nuancat e politikës.

Shpesh kemi dëgjuar zyrtarë të lartë të mazhorancës tek betohen se lufta ndaj bandave do të jetë pa kompromis.

Ka ndodhur shpesh që në sallën e kuvendit të Shqipërisë të debatohet për bandat e Elbasanit. Akuza dhe kundër akuza për përzierje të politikës me këto banda. Sidoqoftë, drejtësia pikësëpari dhe politika me aq sa i takon janë para përgjegjësisë për ti kthyer Elbasanit qetësinë e normalitetin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!