VETTING- Beteja për Vjosën shtrihet përtej kufijve, pse banorët e zonës e konsiderojnë si perëndi

schedule21:22 - 27 Korrik, 2021

schedule 21:22 - 27 Korrik, 2021

Emisioni VETTING

Kjo skulpturë antike, gdhendur në mermer të bardhë, i përket shek. III para Krishtit. Skulptura që u zbulua në Apoloni, simbolizon një Perëndi ku janë përjetësuar përfytyrimet e banorëve për lumin Vjosë, që në lashtësi.

Sipas interpretimeve që i kanë bërë studiuesit kësaj skulpture, paraqitja antropomorfe e Vjosës tregon se ky lumë ka qenë i begatë dhe luginat pranë tij ishin shumë pjellore. Bazuar mbi interpretimet e kësaj skulpture, mendohet se Vjosa ishte perëndia kryesore e banorëve që jetonin në luginën e këtij lumi. Gjymtyrët e zgjatur në formë valëzimi të kësaj skulpture, simbolizojnë dallgët e lumit. Në këtë përfytyrim, fuqia hyjnore e rrjedhës së lumit shfaqet me tiparet mashkullore, kur Vjosa e kapërcen shtratin prej shirave të dendur apo shkrirjes së borës.

Në një tjetër përfytyrim, Vjosa e merr fuqinë e saj hyjnore si grua, gjatë stinës së verës, kur rrjedh e qetë përgjatë 272 kilometrave, deri ku derdhet në Detin Adriatik.

Për banorët e zonave rreth saj, Vjosa është edhe sot perëndi. Është gjithashtu perëndi për qindra shkencëtarë vendas apo ndërkombëtarë. Sepse Lumi Vjosa, është lumi i fundit i egër në Evropë.

Burimi i Vjosës gjendet në territorin grek, ku njihet me emrin Aoos, dhe rrjedh për 80 kilometra në tokën helene, ndërsa në Shqipëri Vjosa gjarpëron për 192 kilometra.

Lugina e Vjosës zë rreth 16% të territorit të Shqipërisë dhe bart vlera të larta të biodiversitetit. Përgjatë luginës janë shpallur rreth 10 zona të mbrojtura dhe 130 monumente natyre.

Degët kryesore të Vjosës janë: Sarandoporo, Drinosi dhe Shushica. Në Vjosë ose në degët e saj, derdhen shumë burime karstike si ato të grykës së Këlcyrës, të Libohovës, të Viroit, të Gjirokastrës, të Tepelenës, të Poçemit.

Një prej tyre është lumi i Bënçës. Ai rrjedh nga malet e Lekdushit dhe Progonatit në një peisazh të mrekullueshëm natyror me kanione dhe ujëvara të cilat frekuentohen nga turistë në pranverë dhe verë. Pjesë e këtij lumi është edhe ujëvara e Peshturës, me e famshmja ndër to….

Në këtë lum parashikohen të ndërtohen 8 hidrocentrale, duke e devijuar atë në pjesën më të madhe nga rrjedha e tij natyrale.

Nëse kontratat vihen në zbatim nga kompania që e ka fituar praktikisht ky lum ashtu siç ne e njohim sot nuk do të ekzistonte. Kanionet dhe ujëvarat që ndodhen në të nuk do të ishin një kujtim i largët për të gjithë.

Ndalemi në Brataj të Vlorës, një fshat buzë lumit të Shushicës, që është një ndër degët e rëndësishme të Vjosës.

Shkencëtarë austriakë, gjermanë dhe Italianë, bashkë me kolegët e tyre shqiptarë janë mbledhur si në kuvendet e famshme të Labërisë.

Është Fritz Shimer, shkencëtar i famshëm austriak, profesor në universitetin e Vjenës. Prej disa vitesh ai udhëton përgjatë lumit dhe në degët e Vjosës, bashkë me disa dhjetëra shkencëtarë që vijnë nga universitet prestigjioze të Evropës.

Janë mbledhur në këtë kuvend të shqetësuar për fatin e Lumit të Vlorës  pasi qeveria shqiptare ka dhënë leje për të ndërtuar 6 hidrocentrale në një prej degëzimeve të Vjosës. Pas diskutimeve të gjithë i drejtohen lumit, për studiuar florën e faunën.

Në luginën e Vjosës, gjenden rreth 1100 specie të ndryshme bimësh dhe kafshësh. Prej tyre, janë 140 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar. Studiuesit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë, kanë sinjalizuar prej kohësh se 40 prej këtyre specieve janë të rrezikuara.

Ndaj dhe shkencëtarët e ardhur nga vende të ndryshme të botës janë të angazhuar që Vjosa dhe degët se saj, të qëndrojnë të paprekura. Mbi shtratin e Vjosës dhe degët e sa janë dhënë 45 leje për të ndërtuar hidrocentrale. Nëse ndodh kjo, sipas specialistëve, ky do të ishte fundi dramatik i lumit të fundit që ka mbetur ende i egër në Evropë.

Profesor Shimer është 80 vjeç. Është ndër të parët që zbret në terren. Përgjigjet pa përtesë kur i afrohemi me mikrofon për të na treguar pasionin e tij për Vjosën dhe betejën për ruajtjen e lumit të egër.

“Në 2016 në filluam të bashkëpunonin me institucionet shqiptare , universiteti i Tiranës, universiteti politeknik i Tiranës , universiteti i agrikulturës i Tiranës. Filluam në 2016 dhe vazhduam dhe u përqendruam tek Vjosa sepse e konsiderojmë si një nga sistemet lumore më të mrekullueshme në Europe, sepse është e paprekur , një sistem nga natyral që nga kufiri me Greqinë deri në det dhe nuk kemi më sisteme të tilla në qendër të Europës . Gjithashtu është një vend studimi shumë i mirë pasi duke e studiuar në mësojmë shumë për funksionet e lumit kur është një rrjedhë natyrale. Kjo është një nga arsyet pse erdhëm këtu në Vjosë . ne tani jemi të fokusuar tek degët e Vjosës , degët natyrale të saj. Sepse ti ku e studion nuk duhet të fokusohesh vetëm tek ujëmbledhësi por edhe tek degët . Kemi ardhur specifikisht për lumin Shushica sepse dëgjuam se kishte interes për të ndërtuar hidrocentrale të pabazuara në asnjë evidencë apo dije . Është e njëjta gjë këtu si në Kalivaç dhe Poçem ku po ndërtohen pa asnjë plan apo evidencë , për të parë efektet afatgjata , efektet negative ekologjike”.

I alarmuar për të ardhmen e lumit Vjosa, profesor Shimer flet për pasojat, nëse ndërtohen hidrocentralet.

‘Nëse ata ndërtojnë sistemi natyror do të bllokohet , do të shkatërrohet vazhdimësia e sistemit të transportit, do të humbë një pjesë mjaft e madhe e sistemit natyrore . Sistemi lumor ka shumë funksione një ndër to është pastrimi i natyrës . Erdhëm këtu si një skuadër me 18 shkencëtarë austriak të një kalibri të lartë do thoja . Shumica e njerëzve që erdhëm këtu janë shumë të njohur ndërkombëtarisht për të analizuar dhe studiuar dhe për të treguar se çfarë do të shkatërrohet nëse këto hidrocentrale ndërtohen”.

Në betejën për të ruajtur Vjosën të paprekur, janë të angazhuar edhe profesorë shqiptare si dhe të rinj që janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij ekosistemi të rrallë natyror. Profesor Aleko Miho nga universiteti i Tiranës na thotë se Shqipëria ka sakrifikuar shumë duke ndërtuar disa hidrocentrale dhe praktikisht disa lumenj nuk ekzistojnë më.

Në 15 vitet e fundit në Shqipëri janë dhënë 720 leje për të ndërtuar hidrocentrale, nga të cilat 420 janë dhënë deri në vitin 2013 kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike. Pjesa tjetër  dha pas këtij viti edhe pse premtimi i socialistëve ishte se do anuloheshin pjesa më madhe e tyre.

Po çfarë problemesh sjell për mjedisin ngritja e digave, të cilat në Shqipëri janë ndërtuar pothuajse në çdo përrua.

Rreziku me i madh për Vjosën dhe lumenjtë në Shqipëri janë HEC-et e vegjël të cilët po i marrin frymën ekosistemeve natyrore. Sipas disa studimeve, këto vepra nuk i kthejnë asgjë ekonomisë dhe komuniteteve lokale pasi taksat paguhen në qeverinë qendrore dhe punësimet në to janë minimaliste. Për me tepër sipas të dhënave zyrtare shteti i rimburson me disa milionë euro në vit.

Neni 59 i kushtetuese, thotë se shfrytëzimi racional i pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore, duhet të realizohet mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

Profesor Miho na shpjegon se po ecet nëpër një rrugë të verbër zhvillimi. Sipas tij ky nuk është zhvillim i qëndrueshëm pasi nuk merren në konsideratë ndikimet në mjedis dhe ndikimet tek jeta e komuniteteve të këtyre zonave.

Nuk është Shqipëria vendi i parë ku po ndërtohen pa kriter hidrocentrale mbi lumenj. Ka ndodhur më herët edhe në vende të tjera të përfundimit gjatë proceseve të zhvillimit. Profesor Shimer thotë se tashmë Europa e ka kuptuar gabimin se çfarë ndodh kur lumenjtë shkatërrohen dhe nxirren nga rrjedha e tyre natyrale, ndaj beteja për Vjosën nuk mund të jetë vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe përtej.

Vjosa është mjaft e rëndësishme si model . Vjosa është një lum me vlera të mëdha natyrore , është një habitat natyral për Shqipërinë por jo vetëm . Ajo ka dimensione Europiane dhe për me tepër Vjosa lumi me rrjedhe të lirë dhe natyrore në të gjithë Europën qendrore. Janë disa në Rusi dhe Europën lindore por në këtë zonë nuk ka dhe kjo e bën atë unike . Ajo që bo bëjnë në Europe dhe ku unë jam përshirë në këto 30-40 vitet e fundit është është rikthimi i lumenjve siç kanë qenë , pas ndërtimit aty të hidrocentraleve. Këtu ju keni një situate që praktikisht tjetër , jo plotësisht por është komplet natyrale dhe kjo e bën unike në Europë. Kjo është arsyeja pse është kaq i vlefshëm nga ana shkencore

Aktori i njohur i komedisë, Florian Binaj është një ndër zërat e rëndësishëm në betejën për mbrojtjen e lumit Vjosa. Ai vëren indiferencë nga ana e shoqërisë shqiptare në misionin për mbrojtjen e mjedisit.

Aktori ka një thirrje edhe për koleget e tij artistë, të cilët i shohim shpesh të angazhuar politikisht . Vjosa na thotë Binaj, ka frymëzuar polifoninë labe e cila mbrohet nga UNESCO dhe shqiptarëve u duhet ta mbrojnë këtë lumë  edhe për këtë arsye. Artistë të tjerë shqiptarë, gjithashtu janë aktivizuar për mbrojtjen e Vjosës.

Përtej Shqipërisë, aktori i famshëm Leoardo Dicaprio, është angazhuar me mesazhe të përsëritura në betejën për ruajtjen e Vjosës. Ndërsa në qytete të rëndësishme të Europës aktivistë të ndryshëm sensibilizojnë që në Vjosë mos të ndërtohen diga. Kjo është një fotografia e vendosur së fundmi në sheshin kryesore të Milanos.

Këtyre zërave të botës së artit i bashkohen peticionet e qindra organizatave ndërkombëtare të angazhuara për ruajtjen e mjedisit. Presioni që vjen prej tyre, detyroi kryeministrin Rama të reflektojë. Ai premtoi se Vjosa do të përfshihej në zonat e mbrojtura me ligj.

Shenjat e shkatërrimit mbi shtratin e lumit të egër janë shfaqur 16 vite më parë në Kalivaç. Por pas largimit të Francesco Beketit koncesioni për të ndërtuar këtë vepër u fitua nga kompania Ayen ALB, ku 92 % e aksioneve zotërohen nga turqit e Ayen dhe pjesa tjetër nga kompania Fusha. Pas kësaj disa organizata mjedisore shqiptare dhe të huaja , shkencëtarë të nga vende të ndryshme dhe banorë të zonës për tre vite me radhe ndikuan tek ministria e mjedisit për të riparë dhe njëherë dokumentin e vlerësimit në mjedis të hartuar nga kompania. Sipas këtij dokumenti ndikimi do të ishte zero. Po studimet e shumta nga shkencëtarë vendas dhe të huaj, faktuan të kundërtën dhe në këtë mënyre ministria e mjedisit refuzoi që të japë kompanisë deklaratën mjedisore, e cila do mundësonte nisjen e ndërtimit. Kompania vendoi të padisë ministrinë në gjykatë. Brenda pak kohësh, gjykata vendosi ta rrezojë padinë duke argumentuar se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk ishte i saktë duke marrë në konsideratë edhe studimet e kryera nga organizata që të mbrojtjes së Vjosës.

Vladimir Meçi  është avokati që mbron në gjykatë, banorëve e Poçemit që protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit. Ai tregon betejat e deritanishme ligjore të banorëve të Poçemit në kauzën e tyre për të ndalur ndërtimin e Hec-it mbi Vjosë.

Beteja është e fituar deri tani por kompania ka ankimuar vendimin në gjykatën e administrative të apelit.

Këto dy koncesione kanë një kohëzgjatje prej 35 vitesh dhe më pas i kthehen shtetit sipas kontratës së firmosur. Olsi Nika na tregon se si parashikohet të ndodh ky proces.

Në  28 dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), miratoi kufijtë e rinj të zonave të mbrojtura.

Mbledhja e KKT-s e drejtuar nga kryeministri Rama, u mbajt larg vëmendjes së mediave.  Sipas vendimit të asaj mbledhje, shtrati i Vjosës mbi të cilin janë dhënë leje për ndërtimin e HEC-ve të Poçemit dhe të Kalivaçit, mbetet jashtë kufijve të zonave të mbrojtura. Por a do ta shpëtonte Vjosën, shpallja me ligj park kombëtar?!. Olsi Nika nga organizata Eko Albania na shpjegon se ky status do të ishte një garanci më tepër për ta ruajtur Vjosën të paprekur nga digat.

Lugina e Valbonës ishte shpallur park kombëtar, kur qeveria Berisha dha lejen koncesionare për ndërtimin e HEC-ve mbi Valbonë. Kjo tregon se nuk është garanci as për Vjosën. Sepse qeveritë shkelin vazhdimisht mbi vendimet e tyre kur është fjala për interesa të tilla si ato të ndërtimit të HEC-ve në luginat ndër më të bukurat e Shqipërisë, si Valbona dhe Vjosa.

“Mos ma prek Valbonën” ishte kauza që mblodhi bashkë shumë faktor, organizata e individë shqiptarë e ndërkombëtar, të angazhuar në mbrojtje të mjedisit. Por ata e humbën betejën me qeverinë dhe HEC-et mbi Valbonë vizatuan shëmtuar një hartë të re të luginës.

Është radha e Vjosës. Ka më shumë shpresë për të fituar sepse beteja për Vjosën i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Sepse ka një angazhim të shtuar ndërkombëtar. Vjosa është tashmë kauzë e qindra profesorëve të universiteteve më të rëndësishme nëpër botë; është kauzë e personaliteteve shumë të rëndësishme ndërkombëtare të botës së artit; është shumë organizatave shqiptare e ndërkombëtare për ruajtjen e mjedisit; është kauzë e banorëve të luginës së Vjosës; që kanë jetuar brez pas brezi në shekuj, brigjeve të atij lumi. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!