Lideri i opozitës greke ka paralajmëruar se në rast të një rotacioni politik do të vendosë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Duke folur në Parlament, Qiriakos Micotaqis ka deklaruar se marrëveshja e Prespës është humbje kombëtare për Greqinë.
Shefi i opozitës greke, Qiriakos Micotaqis ka paralajmëruar se nëse partia e tij vjen në pushtet, Greqia mund të bllokojë në çdo moment anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian. Micotaqis ka folur me tone mjaft të ashpra në debatin parlamentar për marrëveshjen e Prespës, mbrëmjen e së enjtes. Kryetari i Demokracisë së Re e cilësoi marrëveshjen si “humbje kombëtare”, e cila sipas tij “është shfuqizuar në ndërgjegjen e popullit grek”.
Micotaqis u ndal gjatë në faktin se siç tha, “parlamenti ftohet që brenda dy ditëve të vendosë për një çështje kardinale, pa pasur në dispozicion tekstin e plotë të kushtetutës së ndryshuar të Shkupit”. Sipas tij, “ky është një turp kombëtar dhe parlamentar”.
Më tej Micotaqis tha se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE, nuk ka lidhje me marrëveshjen e Prespës.
“Nëse qytetarët më votëbesojnë si kryeministër, nuk kam për ta interpretuar në këtë mënyrë marrëveshjen e Prespës”, vijoi Micotaqis. Ai shtoi se, Greqia do të ruajë të gjitha të drejtat që burojnë në cilësinë e shtetit anëtar të BE-së.
“Me pak fjalë, Greqia mundet në çdo moment të vendosë veton në procesin e anëtarësimit të Shkupit në familjen europiane”, shtoi kreu i opozitës./abcnews.al