Vetingu në polici me dy standarde

schedule17:10 - 13 Tetor, 2020

schedule 17:10 - 13 Tetor, 2020

Zbardhet vendimi i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit që përjashtoi nga radhët e policisë drejtorin e analizës në SHÇBA, Edmond Papa. Në 24 faqet e vendimit përfundimtar të Komisionit radhiten shkeljet e konstatuara për subjektin e rivlerësimit. Papa u përjashtua nga radhët e uniformave blu në 28 Shtator duke mos kaluar 2 nga 3 kriteret e rivlerësimit.

Konkretisht, lidhur me pasurinë, Komisioni shprehet se Papa nuk justifikon të ardhurat e krijuara nga viti 2004 dhe 2009 duke mos dorëzuar edhe dokumentacionet përkatëse. Për aftësitë profesionale, atij nuk ju konstatuan shkelje të marra gjatë 35 viteve të kryerjes së detyrës.

Ndërsa lidhur me pastërtinë e figurës, Komisioni zbuloi se Papa ka qenë pjesë e ish Sigurimit të Shtetit. Në vendim thuhet se ai kishte rol aktiv në rekrutimet e personave të tjerë që do të bëheshin pjesë e kësaj strukture. Por Papa hodhi poshtë këtë zbulim të Komisionit duke dorëzuar një dokument ku thuhej se Papa kritikohej se nuk e kishte bërë siç duhej punën si pjesë e ish Sigurimsit të Shtetit. Ky dokument nuk iu pranua nga KJV.

Që prej nisjes së procesit të Vetingut në Polici, duket se kjo strukturë ka vepruar me dy standarde në dhënien e vendimeve për punonjësit e policisë. Më herët para Komisionit doli edhe zyrtari i lartë Artan Shkëmbi. Për të Komisioni tha se ka qenë pjesë e ish Sigurimit të Shtetit, por më pas mori për bazë dokumentacionet e dorëzuara nga Shkëmbi se në këtë strukturë kishte ndjekur vetëm shkollën.

Artan Shkëmbi, kreu i OFL-së kaloi vetingun, ndërsa tashmë ndodhet i pezulluar me vendim gjykate si person nën hetim nga SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion. Po në të njëjtën linjë u mor vendimi edhe për drejtorin Gjovalin Loka. Komisioni tha se ai ishte pjesë e ish Sigurimit të Shtetit, por Autoriteti i Dosjeve e hodhi poshtë këtë pretendim, duke dorëzuar dokumentin se Loka nuk kishte punuar asnjë ditë të vetme në këtë strukturë, por ishte shkolluar aty.

Pak javë më parë PD publikoi një listë të gjatë me emrat e oficerëve të Policisë së Shtetit që kanë punuar si ish Sigurimsa, mes të cilëve edhe zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj. Nga radhët e policisë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka përjashtuar edhe zyrtarët e tjerë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, Oltion Shehun dhe Arben Frashërin./ db/Abcnews.al

Vendimi për Edmond-Papën

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!