Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot që të rrëzonte kërkesën e ILD-së për t’i tërhequr vërejtje prokurores Elina Kombi, e cila la në burg Bilbil Hasanin, i cili ishte arrestuar për vjedhje, por vuante nga problemet mendore dhe më pas u vetëvra te burgu 313-të në Tiranë, ngjarje e ndodhur në fund të vitit të kaluar.
Por cili është komenti i ILD-së pas vendimit të KLP-së? Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehet se është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.
“Në përgjigje të interesimit të gazetarëve mbi arsyet e procedimit disiplinor të kërkuar për prokuroren e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, E.K. (Elina Kombi), Inspektori i Lartë I Drejtësisë sqaron se hetimi ka nisur pas publikimit në media të vetëvrasjes së të ndaluarit Bilbil Hasani, në paraburgimin e 313.
Pas përfundimit të hetimit, ILD i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se magjistratja nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.
Për një rast të tillë, Kodi i Procedurës Penale (nenet 43, 182, 259, 327/6 shkronja a, 328/1 dhe 329/a) e detyron prokurorin të kryejë një sërë veprimesh proceduriale, përfshi këtu edhe verifikimin e gjendjes mendore të të pandehurit. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm” mbyllet reagimi.
Bilbil Hasani u arrestua për vjedhje, ndërsa vuante nga çrregullimet mendore. Për të njëjtën vepër penale, i ndjeri ishte dënuar edhe më parë dhe kishte marrë si masë detyruese “shtrim në spital psikiatrik”, ndërsa ILD akuzoi prokuroren për neglizhencë për rastin, pasi e dërgoi Hasanin në burg, te 313-ta, ku u vetëvra./ db/Abcnews.al