“Vetëvrasja e Katsifas”, Prokuroria pushoi hetimet, gjykata kthen çështjen

schedule15:07 - 11 Tetor, 2021

schedule 15:07 - 11 Tetor, 2021

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve për vdekjen e Kostandin Katsifas në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Përmes një njoftimi Gjykata bën me dije se ka vendosur kthimin e çështjes duke urdhëruar kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore sipas parashikimeve ligjore.

Në vijim të interesimit të medias për çështjen penale për ngjarjen e datës 28.10.2018 në fshatin Bularat/Dropull, prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ju informon se pas kërkesës së prokurorisë për pushimin e çështjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, si organi kompetent, ka vendosur kthimin, duke urdhëruar kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore sipas parashikimeve ligjore. Aktualisht çështja ndodhet në fazën e përmbushjes së këtyre detyrimeve”, thuhet në vendim.

Pas 3 vitesh nga ngjarja e rëndë në Bularat, ku Katsifas, mbeti i vdekur me dy plumba, prokuroria vendosi të pushojë hetimet për këtë çështje duke theksuar sipas ekspertizës mjeko-ligjore të trupit dhe ekspertimit balistik i armës automatike, është arritur në përfundimin se Katsifas ka kryer vetëvrasje.

Pasi është njohur me këtë vendim babai i Kostandin Katsifas, Jani Katsifas për “ABC” deklaron se djali i është vrarë. Vendimi sipas tij është me dy versione të ndryshme dhe kjo është arsyeja pse nuk beson në vetëvrasjen e djalit të tij. Herën e parë, Jani Katsifas thekson se u dol në përfundimin se djali i tij u vra.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Prokuroria përfundoi hetimet, flet babai i Katsifas: Djali im nuk u vetëvra

Mediat greke janë të revoltuara me hetimin e prokurorisë shqiptare, që siç citojnë ata ka arritur në përfundimin e se minoritari grek kreu vetëvrasje. Prothothema shkruan se artikulli i shpërndarë në mediat shqiptare i hedh akoma më shumë “benzinë zjarrit”.

Si ndodhi ngjarja?

Më 28 Tetor 2018, në fshatin Bularat të Gjirokatrës, gjatë kohës që mbahej ceremonia përkujtimore e “JO”-së greke ndaj ultimatumit të Benito Musolinit, ndodhi incidenti i rëndë. Katcifa qëlloi me armë policinë shqiptare dhe pas disa orësh betejë me forcat e rendit, gjeti vdekjen. Ngjarja u vuri “flakën” marrëdhënieve mes dy shteteve dhe dy popujve. Nacionalizmi ekstrem gjeti në këtë rast tokë të begatë për t’u shfaqur në forma nga më agresivet.

Kostandin Kacifas u vra nga forcat speciale RENEA apo u vetëvra, dhe më tej a ishte Kacifas një ekstremist i radikalizuar që ishte nisur vetëm me qëllimin për të përmbushur një mision të paramenduar? Është kjo pyetja që ende sot po sjell reagime të mëdha. be.k/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!