‘’Vetëpërmbajtja si vaksinë’’, Patozi apel qytetareve: Nuk duhet të mërzitemi me karantinën, por ta përballojmë këtë luftë

schedule20:47 - 27 Mars, 2020

schedule 20:47 - 27 Mars, 2020

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në kuadër të reagimeve për situatën e koronavirusit në vendin tonë është shprehur se vetëpërmbajtja në këto kushte mund të shërbejë si vaksina e vetme për koronavirusin.

Patozi përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se është e lehtë të mërzitesh në kushte karantine, por kjo luftë duhet fituar dhe për këtë duhen pasur mundësitë duke i krijuar ato nëpërmjet vetëizolimit.

Ndër të tjera në postimin e tij bën apel të gjithë qytetarëve që nuk e kanë shumë të nevojshme daljen jashtë që të vetëpërmbahen, duke theksuar po të mendosh se ata që duhet ta shqetësohen realisht (mjekët, infermierët, policët, etj), janë të detyruar të rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, vetëm që ti të mos infektohesh, ndërsa ato nuk po ankohen që janë përditë me rrezikun.

https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/photos/a.1451089961617569/3007999535926596/?type=3&theater

Postimi i plotë:

VETËPËRMBAJTJA SI VAKSINË

Sot ka një konsensus global se gjëja më e lehtë është të mëzitesh dhe stresohesh në kushtet e karantinës, por ti duhet të vetëpërmbahesh shumë që pastaj të kesh mundësi ta përballosh me sukses këtë luftë.

Ti mund ta kesh problem të durosh për një kohë të gjatë njerëzit e tu nëpër këmbë, i mbyllur në të njëjtën shtëpi, por duhet të vetëpërmbahesh, sepse është më keq po të mos kesh mundësi t’i përcjellësh ata edhe në varreza, nëse do të sëmuren.

Ti mund ta kesh të vështirë të durosh izolimin, se je mësuar të kesh party çdo të premte për të shfryrë lodhjen e javës, por duhet të vetëpërmbahesh, kur lexon që janë prekur nga koronavirusi edhe kryeministri britanik bashkë me Princin e Kurorës së Anglisë.

Ti me siguri që mezi pret të dalësh nga shtëpia, qoftë edhe për të bërë një punë të rëndomtë krahu, por duhet të vetëpërmbahesh, kur merr vesh se janë mbyllur brenda si ti edhe pasanikët më të mëdhenj të planetit. Duke filluar nga Bill Gates në Amerikë, e duke përfunduar tek “oligarku” i fshatit apo i lagjes tënde.

Ti mund ta kesh të pamundur të mos ekspozosh veshjet e reja apo modelin e fundit të flokëve, por duhet të vetëpërmbahesh, kur informohesh se ka plot që arrijnë ta përmbushin këtë mision edhe në kushtet e rënda të vetëizolimit. Mjafton që të qash me zë të lartë nga shtëpia dhe të ankohesh per ankthin në televizion.

Ti mund ta kesh tmerrësisht të rëndë të mos jesh në qendër të vëmendjes për një kohë të gjatë, por duhet të vetëpërmbahesh dhe të shpikësh mënyra të reja për të arritur të njëjtin rezultat në kushte të ndryshme. Si fillim duhet ta provosh të flasësh në skype me një bibliotekë të pasur me libra në sfond.

Ti mund të trimërohesh vërtetë, kur dëgjon lajme se ky është thjesht një grip i zakonshëm dhe po ekzagjerohet qëllimisht, por duhet të vetëpërmbahesh kur mëson se pikërisht atë janë duke e vuajtur sot më shumë se të tjerët Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Spanja e kështu me radhë.

Ti mund të xhindosesh fare, kur shikon se nuk po të plotësohen të gjitha kërkesat e tua me shkrim ose me gojë, por duhet të vetëpërmbahesh po të mendosh se mund të rezultojë që ia ke futur komplet kot, ashtu siç ka ndodhur në jo pak raste edhe në kohë paqeje.

Ti mund të rebelohesh pafund me zgjatjen pa afat të orëve te karantinës, por duhet të vetëpërmbahesh po të mendosh se ata që duhet ta shqetësohen realisht (mjekët, infermierët, policët, etj), janë të detyruar të rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, vetëm që ti të mos infektohesh. Dhe ç’është më e rëndësishmja, janë duke e bëjnë këtë sakrificë pa u ankuar asnjëherë.

Me sa duket, kjo është një luftë që mbi të gjitha kërkon vetëpërmbajtje. Madje edhe në rastin, kur lexon apo sheh që të njëjtët sherrxhinj të pandreqshëm në kohë paqeje nuk kanë mësuar asgjë prej saj. Për të mos thënë që janë bërë më agresivë, se sa kanë qenë atëherë kur nuk e ruanin lëkurën e vet duke qëndruar brenda si gjithë të tjerët.

Por ti duhet të vetëpërmbahesh edhe ndaj tërbimit të tyre. Thjesht duke i konsideruar njësoj si ata pijanecët, që e kanë rakinë me sherr, të cilët sa më shumë gota të rrëkëllejnë, aq më shumë zihen me dynjanë.

Ndaj edhe mos prit ndryshim prej tyre. Ata thjesht duhen mëshiruar në këtë kohë pandemie. Me ngushëllimin e madh se sot mund të dëmtojnë më pak se në kohëra të tjera, jo thjesht se janë më të izoluar, por më tepër, ngaqë njerëzit e kanë më të lehtë t’i identifikojnë.

Si çdo luftë tjetër botërore, edhe kjo me COVID 19 do të ketë viktima. Lusim Zotin të jenë sa më pak, por është e sigurt se, kur ajo të mbarojë, jo të gjithë ata që do ta humbin luftën, do të numërohen në buletinët e vdekjes së atyre, që koronavirusi do t’i marrë me vete duke i gjetur në shtrat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!