Në studion e ABC e Mëngjesit ishte Dule Malindi, Mjeshtër i Madh, artisti që prej gati 5 dekadash mban gjallë shpirtin e këngës toske. Me mbi 170 publikime në YouTube dhe mijëra koncerte, ai u ngjit në skenë që fëmijë, në Shtëpinë e Pionierit në Skrapar, me këngë patriotike e polifonike. Nga klarineta te kënga solo, Malindi është nga të parët që bashkoi polifoninë me muzikën popullore, duke e sjellë në gëzime familjare e festa.
Në vitin 1990 emigroi në Turqi, ku jetoi 12 vite në Stamboll, për një amanet të babait, por kurrë nuk iu nda muzikës dhe iso-polifonisë. Kënga e re “Feja jonë është Shqiptaria”, bashkëpunim me Hysni Alushin, vjen si mesazh i fortë bashkëjetese. Familja, nipërit dhe trashëgimia muzikore janë mbi gjithçka për të.
I drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, Dule Malindi e thotë pa filtra: “Nga muzika largohem vetëm kur të mos marr më frymë.”


