Nga Jonida Kërçiku
Duket sikur dallga e lëvizje të shkaktuara në Azi, shpeshherë na kap dhe ne shqiptarëve që e mbajmë veten për europianë dhe vështrimin e kemi gjithmonë të drejtuar kah perëndimi.
E megjithatë, lëvizja e fundit e mbylljes së kolegjit të vajzave ‘Mehmet Akif’, megjithëse në pamje të parë, ngjan si një ngjarje me peshë relativisht të vogël në dramacitetin në rritje të shoqërisë shqiptare, në atë vogëlsinë e vet, kjo ngjarje ka një domethënie të madhe dhe zbulon brutalitetin e qeverisjes aktuale.
Pa u fokusuar te shkeljet administrative dhe ligjore, nga ana shtetit, vetë shteti, cënon të drejtën për arsim të vajzave dhe fëmijëve, për të cilën duhet të jetë siguruesi apo garantuesi kryesor.
Me këtë vendim, qeveria shqiptare, ka përsëritur vetveten për të disatën herë duke nxjerrë ligje apo vendime që godasin më të dobëtit, grupet më vulnerabël, por mbi të gjitha godasin demokracinë në vlerat e saj më të shenjta: te mbrojtja sociale dhe te ofrimi i shanseve të barabarta për të gjithë anëtarët e shoqërisë, pa diskutuar këtu për shanset e barabarta për gratë, që janë eleminuar plotësisht nga retorika e pushtetit.
Imazhet vizuale qeveritare me gra, nuk iu sigurojnë grave të tjera në këtë vend politika të shanseve të barabarta në fusha të tjera përveç kabinetit qeveritar.
Mundësitë e barabarta në edukim e përfshijnë të gjithë procesin e arsimimit, por veçanërisht kanë të bëjnë me multikulturalizmin, anti-racizmin, etnicitetin, sigurimin për arsim të njerëzve me mundësi të kufizuara, por kanë të bëjnë edhe me gjininë, seksualitetin, si dhe me ofrimin e mundësive të barabarta edhe ndaj fëmijëve që nuk kanë mundësi ekonomike apo sociale, apo janë në një pozitë të disavantazhuar.
Barazia e mundësive zakonisht i referohet drejtësisë dhe paanshmërisë. Me fjalë të tjera, është një shtet apo komb që i trajton të gjithë qytetarët e tij në mënyrë të barabartë.
Sipas përkufizimit të Organizatës ndërkombëtare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), barazia e mundësive është qëndrim dhe sjellje e barabartë e shtetit ndaj të gjithë qytetarëve të tij, pavarësisht nga gjinia, statusi socio-ekonomik dhe përkatësia etnike.
Barazia e mundësive në arsim është që të gjithë individët që jetojnë brenda kufijve të shtetit kanë të drejtën e aksesit të barabartë në shërbimet arsimore më të përshtatshme të cilat mund të zhvillojnë aftësitë e tyre, pa u ekspozuar ndaj diskriminimit.
Gjithashtu, përkufizimi i OECD vë në dukje që barazia e mundësive në arsim ndikohet nga faktorët ekonomikë, gjeografikë, socialë, politikë dhe individualë.
Dhe në rastin e vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, mbyllja e shkollës së vajzave na vë përpara një vendimi politik që përfundimisht na i sposton kufijtë tanë gjeografikë në Azi. /abcnews.al