Vetëm ekonomia, nuk mund ta paqtojë dot rajonin e trazuar të Ballkanit

schedule09:30 - 30 Tetor, 2020

schedule 09:30 - 30 Tetor, 2020

Nga Edward P.Joseph, Foreign Policy*

Në Ballkan, zëri i një superfuqie vlen shumë. Deklarata e famshme e Sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Baker në qershorin e vitit 1991 se “Ne nuk kemi qoftë edhe një qen tonin në atë luftë!”, ndihmoi në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë. Një dinamikë e ngjashme, është duke u zhvilluar edhe sot.

Agjenda ekonomike e tipit “mos shihni asnjë të keqe”, e administratës Trump ka kontribuar në përkeqësimin më të madh të marrëdhënieve, që kur përfunduan luftërat e rajonit dy dekada më parë. Administrata mburret se presidenti Donald Trump ka arritur “ndryshimin e skenarit” në Ballkan me fokusin tek ekonomia, dhe me shpërfilljen ndaj angazhimit politik.

Për pasojë, jo më pak se 6 vende, që ishin kryesisht të qeta – Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut – po përjetojnë tani nivele të rrezikshme të toksicitetit ndëretnik, që të gjitha këto nën mbikëqyrjen e administratës Trump.

Në shembullin e fundit kronologjik, zyrtarë të lartë amerikane inkurajuan padashur këtë muaj një aleat t NATO-s, Bullgarinë, të kërcënonte me ndërhyrje ushtarake kundër një tjetri anëtarë të aleancës, Maqedonisë së Veriut. Më 6 tetor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper u takua me homologun e tij bullgar, Krasimir Karakaçanov, një nacionalist i vijës së ashpër.

Muajin e kaluar, Karakaçanov përsëriti kërcënimin e Sofjes për të bllokuar negociatat e shtyra prej kohësh të Shkupit për anëtarësimn në Bashkimin Evropian. Në vend se të kritikohej për provokimet e tij, sipas deklaratës së vetë Departamentit amerikan të Mbrojtjes, ministri bullgar u dend me uiski dhe lavdërime në Uashington, ndërsa zyrtarët negociuan një plan 10-vjeçar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, dhe shitjen e 8 avionëve luftarakë amerikanë F-16.

Dy ditë më vonë, Karakaçanov tronditi rajonin duke kërcënuar haptazi se do të dërgonte trupa bullgare në Maqedoninë e Veriut. Ultimatumi erdhi pas pretendimeve të Karakaçanov, se Maqedonia e Veriut po kërcënon “integritetin territorial të Bullgarisë”, duke nënkuptuar se Sofja e kishte një shkak për të nisur luftën.

Heshtja e Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre deklaratave është e pafalshme. Shitja e avionëve F-16 ndaj Bullgarisë, nuk është justifikim për heshtjen e Esper, apo kolegëve të tij në Departamentin e Shtetit. Një administratë kompetente mund t’i shesë F-16 një aleati të NATO-s (Bullgarisë), ama pa shitur një tjetër aleat (Maqedoninë e Veriut).

Zyrtarët amerikanë, mund t’i kishin rikujtuar Karakaçanov fjalët e thëna nga vetë ai muajin e kaluar para një komiteti parlamentar, në lidhje me tensionet midis Greqisë dhe Turqisë: ”Çështjet e diskutueshme midis fqinjëve duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe dialogut, dhe jo përmes përdorimit të kërcënimeve dhe forcës ushtarake ”.

Ashtu si me Bullgarinë, diplomacia dritëshkurtër e Trumpit po hesht me pasoja të rrezikshme ndaj Serbinë. Në samitin shumë të bujshëm të mbajtur në Zyrën Ovale midis Serbisë dhe Kosovës më 4 Shtator, presidenti Trump e përshëndeti samitin dhe angazhimet dypalëshe si “historike” dhe si një “përparim të madh”.

Trump këmbënguli se për këtë meritonte Çmimin Nobel për Paqe, duke pasur parasysh se nisma e tij synon “ndalimin e vrasjeve masive midis Serbisë dhe Kosovës”. Në fakt, hiperbola e Trump dhe përqendrimi i vetëm i administratës së tij tek çështjet ekonomike, ka pasur tre pasoja të dëmshme.

Së pari, marrëveshja e “normalizimit ekonomik”, e ka zbutur presionin mbi palën më problematike, Beogradin. Duke marrë pjesë në samitin e Shtëpisë së Bardhë, presidenti autokrat i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një tjetër nacionalist i thekur, ka shmangur skenarin e bërjes së lëshimeve të rëndësishme ndaj kundërshtarit të tij.

I dërguari special i Trump për Serbinë dhe Kosovën, Riçard Grenell, ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Uashingtoni është i fokusuar tek marrëdhëniet ekonomike, dhe do të fokusohet më pas tek çështja thelbësore e njohjes reciproke (të cilën Vuçiçi dëshiron ta shmangë).

Ndaj në mënyrë të parashikueshme, dialogu i udhëhequr nga BE midis Serbisë dhe Kosovës ka mbetur në vend. Ky është një problem i veçantë për Kosovën e izoluar, të panjohur nga Serbia, pasi nën presionin e SHBA-së, ajo ka hequr dorë madje edhe nga e drejta për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Së dyti, për shkak se administrata Trump është investuar kaq shumë në imazhin e

suksesit, Beogradi, ashtu si Sofja, e di se mund të promovojë markën e tij të dëmshme të nacionalizmit, pa pasur frikë nga fshikullimi i Uashingtonit. Në provokimet e tij të mirë-menduara, Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka përdorur vazhdimisht një epitet tepër fyes për popullin shqiptar në komunikatat e tij zyrtare.

Së treti, për shkak se administrata Trump u nxitua të shpallë suksesin e nismës, ajo ka bërë një sy qorr ndaj angazhimeve të Serbisë me aktorët e tjerë. Brenda disa ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes në Zyrën Ovale, zyrtarët serbë anuluan ndalimin e përdorimit të pajisjeve 5G nga “shitës të pabesueshëm”, një eufemizëm ky për kompaninë kineze Huauei.

Pas 2 javësh, kryeministrja Ana Brnabiç inauguroi hapjen në Beograd të një qendre të inovacioneve dhe zhvillimit të Huaueit, duke e vlerësuar kompaninë si “një nga partnerët tanë më të mëdhenj dhe më të mirë”. Ndërkohë, Kina po vazhdon të zgjerojë marrëdhëniet e saj me Serbinë, që për Pekinin është “spiranca” e saj në Evropë.

Këtë muaj Vuçiç i premtoi ambasadorit rus në Serbi, se një gazsjellës do të përfundojë këtë vit për të sjellë gazin rus në Evropë, duke e kundërshtuar kështu angazhimin e Shtëpisë së Bardhë për të diversifikuar furnizimet e energjisë larg Rusisë.

Pasi u kritikua fort për servilizmin e shfaqur në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiç u detyrua të recitonte në Kremlin një listë të gjatë premtimesh servile, duke përfshirë atë se Serbia

nuk do të bëhet kurrë pjesë e NATO-s, dhe as nuk do të vendosë ndonjëherë sanksione ndaj Rusisë.

Edhe surpriza e madhe e marrëveshjes së administratës – përfshirja e Izraelit – mund t’i sjellë izraelitët më pranë shqiptarëve dhe serbëve, por jo serbët dhe shqiptarët më afër njëri-tjetrit. I zënë me hallet e veta, Izraeli nuk ka asnjë ambicie apo aftësi për të nxitur pajtimin midis palëve.

Pra pavarësisht mburrjes së Trump për një “përparim të madh”, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë përkeqësuar. Teksa vendet e Ballkanit po përballen me krizën e shpopullimit, pasi qytetarët e tyre po vazhdojnë të ikin nga vendi, në kërkim të mundësive më të mira, tani nuk është koha për një fokus miopik vetëm tek ekonomia, ndërsa injorohen tensionet politike që kërcënojnë të rihapin konfliktin.

Konfliktet ndëretnike janë “kambana” që paralajmëron “vdekjen” e reformave ekonomike, investimeve të huaja dhe krijimit të vendeve të reja të punës. BE sapo ka parashikuar dhënien e 9 miliardë eurove për zhvillimin, modernizimin dhe ndërlidhjen e ekonomive të Evropës Juglindore.

Detyra e Uashingtonit nuk është të tejkalojë dhe të shpenzojë më shumë së BE me

projekte pompoze, të pakoordinuara, që mund të përfundojnë duke shpërdoruar paratë e taksapaguesve. Roli vendimtar i Amerikës, është të garantojë një zë të qëndrueshëm të autoritetit, parimit dhe urgjencës, duke siguruar që as Brukseli dhe as kryeqytetet e Ballkanit si Sofja dhe Beogradi, të mos i shmangen detyrës së vështirë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike në rajon.

*Marrë me shkurtime
**Edward P.Joseph, është lektor mbi menaxhimin e konflikteve në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Ai ka shërbyer për shumë kohë në Ballkan, si me ushtrinë amerikane, ashtu edhe si zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!