Vetëm tre javë i rikthyer në punë, kush është inspektori i arrestuar një ditë më parë në Tiranë

schedule16:37 - 11 Shtator, 2020

schedule 16:37 - 11 Shtator, 2020

Nga Xhensila Kodra

Vetëm tre javë nga rikthimi në punë pas dy viteve shkëputje, inspektori tatimor Erjon Trugu, arrestohet me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për korrupsion pasiv pasi u kërkonte 5 mijë euro subjekteve të ndryshme duke u premtuar se nuk do t’i raportonte tek organet kompetente në rast të shkeljeve tatimore.

Arrestimi i tij është bërë pasditen e së mërkurës, nga Policia e Tiranës me urdhër të SPAK me akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Brenda një jave SPAK zbuloi se 37 vjeçari Trungu kërkonte para ndaj bizneseve të ndryshme për të mos i ndëshkuar në rast se kapeshin në shkelje tatimore.

Rasti i fundit ku Trungu kishte kërkuar 8 mijë euro ishte ndaj pronarit të një mobilerie në Kamëz. Por ky i fundit e kallëzoi atë në prokurori. Më pas hetimet zbuluan se në atë subjekt nuk duhej të shkonte 37 vjeçari për inspektim por kolegu i tij.

Sapo Trungu mësoi se kjo mobileri do të kontrollohej nga kolegu i tij, u paraqit më herët tek pronari i saj duke i kërkuar shumën e eurove duke i premtuar se do ta mbështeste në rast të shkeljeve ligjore pa e referuar tek organet kompetente. Inspektori Trungu u kap në flagrancë sapo kishte marrë dorazi 5 mijë euro nga administratori i mobilerisë në Kamzë. Prova më e fortë ishte numri i serisë së eurove pasi kjo shumë i ishte vënë në dispozicion pronarit nga oficerët e policisë.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për ABC News se prej gati dy vitesh shkëputje nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve, Trungu ishte rikthyer vetëm tri javë më parë në këtë institucion. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!