Vetëm 7 vjeç dhe 2 herë kampion. Briani, talenti që sfidon të rriturit në shah i vogël në moshë, por i madh në përqendrim, disiplinë dhe ambicie. Brian Ibrahimi, vetëm 7 vjeç, ishte këtë mëngjes në studion e “ABC e Mëngjesit”, ku rrëfeu historinë e tij frymëzuese si kampion kombëtar i shahut, nxënës shembullor dhe djalë që shkëlqen edhe në futboll.
Briani është lojtar i ekipit kombëtar të shahut U8 dhe dy herë kampion, një arritje e rrallë për një fëmijë të kësaj moshe. “Kam filluar të luaj shah që në moshën 5-vjeçare,” – tregoi Briani me qetësinë e një kampioni të vërtetë.
Hapat e parë në shah nuk i hodhi në një akademi luksoze, por në shtëpi, nën kujdesin e babait të tij.
“Më ka mësuar babi të luaj shah. Është e vështirë, por jam stërvitur shumë për 10 muaj.”
Puna dhe këmbëngulja dhanë shpejt rezultat. Brenda vetëm një viti, Briani u shpall kampion, duke fituar medalje dhe një kupë, dhe duke u bërë një nga emrat më premtues të shahut për moshat e vogla.
Për Brianin, suksesi nuk kufizohet vetëm në tabelën bardhezi.
“Si me shah, ashtu edhe me shkollën i kam marrëdhëniet shumë të mira,” – thotë ai me buzëqeshje.
Çdo ditë, 7-vjeçari i përkushton rreth 1 orë e gjysmë shahut, por pa e ndjerë lodhjen apo presionin.
“Edhe kur humb, nuk mërzitem,” – shprehet ai, duke treguar pjekuri përtej moshës.
Një nga kujtimet më të bukura për Brianin është momenti i fitores. “Kur fitova medaljen, të gjithë më përqafuan dhe më uruan suksese.”
Por përtej medaljeve, ai ka edhe një mesazh të thjeshtë dhe të sinqertë për fëmijët e tjerë: “U them të gjithë moshatarëve të mi që të luajnë shah, sepse stërvit mendjen.”
Atmosfera në studio u bë edhe më e veçantë kur 7-vjeçari sfidoi moderatorin në një lojë shahu, duke treguar qetësi, përqendrim dhe siguri në çdo lëvizje, tipare të një kampioni të vërtetë.

