Vetëm 4 kilometra, “tërmet” politik prej luftës në Nagorni Karabakh

schedule10:53 - 9 Nëntor, 2020

schedule 10:53 - 9 Nëntor, 2020

Azerbajxhani ka rimarrë tashmë nën kontroll 40% të territorit të Nagorni Karabakh, territor azer, por i administruar që prej 1995 nga Armenia.

Lufta është e ashpër në këtë rajon duke shkaktuar mijëra të vdekur, ndërsa dy tentativa për armëpushim kanë dështuar deri më tani me palët që zotohen të luftojnë deri në fund.

Gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Azerbajxhanit njoftoi se ushtria e tij kishte rimarrë pas 27 vitesh nën kontroll qytetin simbol të Shushas. Qyteti është vetëm 4 kilometra në vijë ajrore nga kryeqyteti i republikës së vetëshpallur të Artsakh, nën kontrollin e armenëve.

Nga ana tjetër, këta të fundit mohojnë rënien e qytetit duke theksuar se luftimet vazhdojnë.

E gjithë situata ka shkaktuar mjaft shqetësim në Jerevan, pasi mos ndërhyrja e Rusisë konsiderohet si një ndëshkim ndaj qeverisë së kryeministrit Pashninyan.

Nagorni Karabakh njihet si pjesë territoriale e Azerbajxhanit, por që prej luftës së fillimit të viteve ’90 administrohet nga armënët, të cilët kanë krijuar një qeveri, parlament dhe ushtri duke shpallur edhe Republikën e Artsakh, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht.

Me luftën e tanishme, azerët kërkojnë rimarrjen e rajonit nën kontroll, gjë e cila kundërshtohet nga Armenia dhe armenët lokalë me argumentin se i frikësohen masakrave dhe spastrimit etnik. /abcnews.al