Vënien në pranga të Klement Balilit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e njoftoi personalisht gjatë një konference për shtyp. Sipas Lleshajt, dorëzimi i Balilit u bë i pashmangshëm pas një operacioni shumë kompleks të zhvilluar nga autoritetet shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese të huaja.
“Policia Shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë dhe të ndërlikuar për dorëzimin e Klement Balilit pas një procesi operativo gjurmues në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe partnerët tanë. Nga sot drejtësia shqiptare merr sot njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj. Shqiptarët dhe partnerët tanë marrin një mesazh shumë të rëndësishëm për Shqipërinë që duam. Arrestimi i sotëm është një mesazh shumë domethënës për drejtësinë dhe një provë e qartë që policia është në një nivel të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe aftësinë e saj goditëse.
Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e punës për ndalimin e këtyre personave të këtij karakteri besoj do jetë e qartë që kurrë nuk do ketë një udhëtim vullnetar të një personi të kriminalizuar drejt policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë të ndërlikuar në bashkëpunim me partnerët e Shqipërisë që kanë mundësuar që personi në fjalë të vetëdorëzohet në Shqipëri“, tha Lleshaj./abcnews.al