Veshkat vrasin në heshtje thonë mjekët të cilët ngrenë shqetësimin për rritjen e numrit të të prekurve dhe uljen e moshës së pacientëve. Shtimi i personave me hipertension e diabet është shkaku kryesore sipas tyre.
“Në vendin tonë 13% e popullatës vuajnë nga veshkat dhe është e frikshme se 90% e qytetarëve nuk e dinë që vuajnë nga një dëmtim në veshkë. Këto janë shifra për tu vlerësuar dhe për të përcaktuar target e secilit prej nesh si profesionistë mjekësor, por dhe një periudhë sensibilizimi për qytetarët që të realizojnë kontrolle të herë pas hershme depistuese. 70% të rasteve të dëmtimeve i përbëjnë pacientë që vuajnë nga diabeti, hipertensioni, pacientë që vuajnë të sëmundje kardiovaskulare. Ky është një grup target I cili duhet të kryej depistime dhe kontrolle të herëpashershme”, thotë mjekja.
Ndërsa shpjegojnë se veshkat japin shenja kur problemi ka përparuar në javën e ndërgjegjësimit për sëmundjet e veshkave mjekët apelojnë për të mos neglizhuar kontrollet. Zbulimi I hershëm sipas tyre jo vetëm ruan funksionin e veshkës, por zvogëlon dhe nevojën për trajtime intensive.
“Sëmundjet e veshkave janë sëmundje të heshtura të cilat nuk shfaqen me shumë simptoma në faza të hershme dhe shenjat klinike shfaqen kur sëmundja ka përparuar prandaj është e rëndësishme sidomos ato që kanë sëmundje shoqëruese të bëjnë kontrolle të herë pas hershme. Për të kontrolluar funksionin e veshkës, mjafton një analizë gjaku dhe urine, bazë që përcakton nëse kemi dëmtim, depistimi dhe zbulim i hershëm vonon fillimin e dializës me 10 – 15 vite. Sëmundjet kronike të veshkave kanë një kosto të lartë si për individin dhe për shoqërinë. Impaktojnë sistemin shëndetësor në përgjithësi”, thekson ajo.
Rreth 850 milionë persona në të gjithë botën vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit ndër shkaqet e humbjes së jetës në rritjen më të shpejtë dhe parashikon të jetë shkaku i pestë kryesor i vdekjeve deri në vitin 2050./abcnews.al


